Lajme

Aksident tragjik në këtë vend/ Përmbyset autobusi, humbin jetën 10 persona, plagosen 36 të tjerë

Një aksident tragjik ka ndodhur në provincën qendrore iraniane Yazd, ku 10 persona humbën jetën dhe 36 të tjerë mbetën të plagosur, pasi një autobus u përmbys në provincën qendrore iraniane Yazd, ka njoftuar agjencia zyrtare e lajmeve IRNA.

Autobusi me 50 deri në 52 pasagjerë, po shkonte nga Bushehr në Mashhad kur u përmbys.

Raportimet nga agjenci të ndryshme të lajmeve, bëjnë me dije se numri i të lënduarve varion nga 36 në 42.

Hassan Momeni, kreu i policisë rrugore të Iranit, tha për IRNA se hetimet paraprake tregojnë se autobusi doli nga rruga kryesore, në një rrugë hyrëse në minierë përpara se të përmbysej.

Të plagosurit janë transportuar në spitalet në Yazd, ndërsa autoritetet thonë se gjendja e tyre nuk është kritike.

Ende nuk dihen shkaqet e sakta të aksidentit, ndërkohë që ekspertët e policisë rrugore po punojnë për zbardhjen e ngjarjes.

Drejtori i përgjithshëm i menaxhimit të krizave për provincën Yazd, konfirmoi se hetimi është në vazhdim.

Muajin e kaluar, një përplasje mes dy autobusëve dhe një makine pasagjerësh në provincën Kermanshah la gjashtë të vdekur dhe 30 të plagosur mes pjesëmarrësve të ceremonisë fetare të Arbainit.