5
Prokuroria Themelore e Gjakovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës po zhvillon një aksion në Malishevë në lidhje me dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Zëdhënësi i prokurorisë, Drin Domi ka konfirmuar se operacioni është ndërmarrë nën dyshimet për falsifikim të rezultateve të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, raporton Reporteri.
Të premten, Prokuroria Themelore e Prizrenit realizoi aksion lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore, që përfundoi me 109 të arrestuar.
Ditën e djeshme koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula ka konfirmuar se të gjitha prokuroritë do të lëshojnë autorizime për grumbullim të informacioneve nëpër komunat e Kosovës.
Ndryshe, koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga prokuroria e shtetit, Laura Pula, ka deklaruar të martën se të gjitha prokuroritë në Kosovë tashmë kanë lëshuar autorizime për grumbullimin e informacioneve ndaj personave që dyshohet se kanë manipuluar apo falsifikuar procesin e numërimit të votave.
Pula ka theksuar se për veprën penale të falsifikimit parashihet dënim deri në pesë vjet burgim, duke qenë se bëhet fjalë për persona zyrtarë të emëruar.
“Hetimet do të tregojnë se si është kryer ky falsifikim i rezultateve. Asnjë nga ta nuk do të amnestohet dhe kushdo që ka shkelur vullnetin e lirë të votuesit do të ballafaqohet me forcën e ligjit”, ka thënë ajo.
