Lajme

Aksioni kundër fajdexhinjëve në Suharekë e Prizren, sekuestrohen 20 banesa dhe 5 vetura

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për aksionin ndaj fajdes të zhvilluar të enjten në Prizren e Suharekë.

Siç njofton policia në këtë aksion janë arrestuar gjashtë persona, si dhe janë konfiskuar 20 njësi banesore dhe lokale afariste, 5 automjete, 5 armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, kontrata, para kontrata, të holla të gatshme, prova digjitale, si dhe janë bllokuar llogarite bankare të personave të dyshuar.

“Të dyshuarit në këtë rast me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë kontraktuar shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës.

Të dyshuarit kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga viktima shuma të mëdha të parave si dhe prona të paluajtshme dhe të luajtshme si formë e interesit nga veprimtaria e fajdesë, vlera e të cilave kalon shumën mbi 1 milion euro”, thuhet në raportin e policisë.

Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.