Gjatë seancës ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve për vepra kundër administrimit të drejtësisë, gjykata vendosi afate të reja për dorëzimin e provave dhe mocioneve.
Ky zhvillim ngre pyetje se a mund të ketë vendim denues për Thaçin dhe si mund të ndikojë kjo në gjykimin tjetër për krime lufte, ku ai po gjykohet së bashku me Veselin, Krasniqin dhe Selimin.
E për këtë temë për “Bota sot” foli jurist inga Belgjika, Skënder Musliu, i cili fillimisht përmbledhi procesin gjyqësor ndaj Thaçit.
“Pas konfirmimit të aktakuzave kundër H.Thaçit, K. Veselit, J. Krasniqit dhe R. Selimit, këta u arrestuan dhe u dërguan në paraburgim në Hagë në Nëntor të vitit 2020. Procesi gjyqësor filloi më 2023, kurse përfundoi muajin e kalur, kur u prezentuan mocionet dhe fjalët përfundimtare të Prokurorisë Speciale, mbrojtjes së viktimave, mbrojtjes të akuzuarve dhe fjalës përfundimtare të katër të akuzuarve.
Mirëpo, jashtë këtij procesi që sapo përfundoi, ndaj Thaçit është ngritur edhe një aktakuzë tjetër, e cila e ngarkon me 11 pika, për ndërhyrje apo pengim në administrimin e drejtësisë. Në këtë çështje, përveç Thaçit, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë edhe kundër Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi. Prokuroria Speciale, këta dhe Thaçin i ngarkon për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe rendit publik, duke përfshirë edhe pretendime për pengim të personave zyrtar, për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mos bindje ndaj gjykatës. Që nga konfirmimi i aktakuzës, H. Kuçi është mbrojtur në liri me disa obligime të përcaktuara nga gjykata, kurse tre të tjerët janë mbajtur në paraburgim në Hagë deri në muajin e kalur, dhe tani e tutje do të mbrohen në liri. Që në seancën e parë gjyqësore, të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, duke i hedhur poshtë të gjitha akuzat”.

Skënder Musliu
Më tej, Musliu zbërtheu prapaskenat dhe synimet që ka ndërhyrja në administrimin e drejtësisë.
Në këtë pikë, ai përmendi trysnitë dhe ndikimet te dëshmitarët, ku për këtë tha se ka qenë e domosdoshme që në Hagë stafi i Speciales të jetë staf ndërkombëtar.
“Prokuroria Speciale e ngarkon Thaçin « për përpjekje të qëndrueshme dhe sistematike për të penguar punën e kësaj gjykate, për të ndikuar dhe ndërhyrë në dëshmitë e dëshmitarëve, për nxjerrjen e informacioneve konfidenciale, për mosbindje të urdhrave të gjykatës, për eliminimin e provave për përfshirjen e Thaçit në keqtrajtimet e viktimave »……
Ndërhyrja në administrimin e drejtësi gjatë procesit gjyqësor, mund të kenë dy synime, e para, se këto ndërhyrje pengojnë dhe kontaminojnë provat relevante duke i ndryshuar apo asgjësuar ato dhe gjymtojnë argumentet kryesore që do të ndikonin në substancën e vendimmarrjes, dhe së dyti, me këto ndërhyrje mund të nënkuptohet se i akuzuari tenton t’a shfajësojë veten me ndërhyrje brutale te dëshmitarët e mbrojtur që Prokuroria Speciale iu ka ofruar siguri të identitetit. Pikërisht, një ndër arsyet kryesore, përveç shumë të tjerave, për formimin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë dhe staf profesional ndërkombëtar, ka qenë ruajtja e identitetit të dëshmitarëve kryesor dhe mbrojtja e tyre nga frikësimt, shantazhet apo likuidimet, siç kishte ndodhur, dhe pengimin e ndikimit të politikës në drejtësi. Mbase ndërhyrjet e vazhdueshme dhe sistematike në adminstrimin e drejtësisë, dhe së fundi interferimi i krerëve të institucioneve shtetërore dhe politikanëve në këtë proces, i ka dhënë arsye të fuqishme vendimit, që Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale të vendosen në Hagë me staf ndërkombëtar”, shtjelloi ai.
Më tej, juristi nga Belgjika komentoi këtë proces që po zhvillohet në Hagë, derisa përmendi edhe incizime dhe përgjime të bisedave në Hagë.
“Procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi, për momentin gjendet në fazën kur Prokuroria Speciale është duke i adminstruar provat, me të cilat e mbështet dhe arsyeton aktakuzën duke prezentuar argumente të ndryshme. Deri tani, dëshmitë e tyre i kanë paraqitur tre dëshmitarë. Edhe përkundër refuzimit kategorik të aktakuzave nga të akuzuarit, Prokuroria Speciale pretendon se do të arrijë t’i vërtetojë pretendimet e saja. Si dëshmi të veçanta, përveç tjerash, Prokuroria i konsideron edhe incizimet e bisedave të Hashim Thaçit me vizitorët, gjatë vizitave jo të privilegjuara, ku bëjnë pjesë edhe të akuzuarit e lartëpërmendur. Konsiderohet se ndër vite Prokuroria Speciale ka bërë incizime në paraburgimin e Hagës dhe supozohet se ka me orë të tëra incizime të bisedave të ndryshme. Tani, një pjesë të këtyre bisedave të përgjuara dhe të incizuara të Thaçit me të akuzuarit, Prokuroria Speciale gjatë seancave po i paraqet me zë, duke i interpretuar dhe komentuar ato. Lidhur me nxerrjen e provave, Trupi gjykues e ka urdhëruar Prokurorinë Speciale që këte t’a bëje deri me 18 Mars 2026”.
Kurse, ai potencon se ky rast mund të ketë ndikim te Thaçi dhe rasti tjetër ku gjykohet për krime lufte.
Me këtë rast, tha se ndërhyrja në administrimin e drejtësisë ka të bëjë drejtpërsëdrejti me atë proces gjyqësor.
“Tani, me arsye shtrohet pyetja, nëse Prokuroria Speciale arrinë t’i vërtetojë aktakuzat, në tërësi apo në një pjesë të saj, a do të mund të ndërlidhet dhe a do të ketë ndikim ky proces gjyqësor me ate ku po gjykohen Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit? Sigurisht se po, sepse ndërhyrja në administrimin e drejtësisë ka të bëjë drejtpërsëdrejti me atë proces gjyqësor. Mirëpo, duhet sqaruar se, nëse Thaçi shpallet fajtor për ndërhyrje në drejtësi, kjo do të ketë konsekuenca juridike vetëm për Thaçin, e jo edhe për Veselin, Krasniqin dhe Selimin. Sepse, ndërhyrja në drejtësi, nëse vërtetohet, do të nënkuptonte me automatizëm se i akuzuari me paramendim ka dashur t’i fshijë provat për t’a shfajësuar veten”.
Në fund, Musliu shtoi se, një rast të ngjashëm ka pasur në Hagë vetëm kohë më parë, ku ishte rasti i Sabit Jonuzit, Haxhi Shalës dhe Ismet Bahtijarit.
“Mos të harrojmë se, pothuajse në të njejtën kohë, kemi patur edhe një tjetër proces gjyqësor për ndërhyrje në drejtësi, siç ishte rasti i Sabit Jonuzit, Haxhi Shalës dhe Ismet Bahtijarit, të cilët fillimisht i kishin hudhë poshtë aktakuzat, mirëpo pasi që u përballën me argumente të forta nga Prokuroria Speciale, vendosën të bëjnë marrëvesje me Prokurorinë duke e pranuar fajin dhe gjykim me procedurë të shkurtuar.
Së këndejmi, pranimi i fajësisë apo Aktgjykimi fajsues për ndërhyrje në administrimin e drejtësisë, paraqesin momente juridike shumë të rënda, të cilat merren si rrethana vështirësuese në marrjen e Aktgjykimit në procesit tjetër gjyqësor”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.
