Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur më 25 gusht 2026 aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për veprat penale “spiunazh” dhe “shantazh”.
Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se ishte rekrutuar nga BIA dhe, deri më 9 tetor 2025, kishte vepruar sipas udhëzimeve të zyrtarit të BIA-s, Bojan Dimiç. Sheholli vazhdo të jetë i arrestuar që nga tetori i vitit 2025 nën dyshimin për spiunazh.
Prokuroria pretendon se ai kishte mbledhur dhe përcjellë informacione e dokumente për zhvillimet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Në aktakuzë përfshihet edhe akuza për shantazh, ku pretendohet se Sheholli kishte kërkuar para nga një person dhe e kishte kërcënuar me publikimin e videove dhe informatave që mund t’i dëmtonin reputacionin. Dëmi i pretenduar kalon 13 mijë euro. Rasti tashmë i është dorëzuar Gjykatës Themelore në Prishtinë për shqyrtim.
Fetoshi: Në kontekstin e qëllimeve hegjemoniste të Serbisë, këto janë kërcënime hibride në funksion të destabilizimit dhe sabotimit të Republikës së Kosovës

Arben Fetoshi
Arben Fetoshi Drejtor i Institutit “Octopus”, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se rastet e spiunazhit tregojnë se veprimtaria e rrjeteve serbe kundër Kosovës është bërë më e sofistikuar, por njëkohësisht Kosova ka forcuar kapacitetet për t’i zbuluar dhe neutralizuar ato përmes bashkëpunimit të institucioneve.
“Rasti Sheholli dhe të tjerat që kanë përfunduar apo janë ende në proces gjyqësor, tregojnë dy gjëra: e para, që s’kanë përfunduar me luftën por janë bërë më të sofistikuara në kuadër të strategjisë hibride të Serbisë dhe e dyta, që Kosova ka arritur kapacitete për neutralizimin e tyre.
Pra, rrjetet e spiunazhit janë instrumente që përdoren për operacione si ndikimi, manipulimi, shantazhimi e radikalizmi fetar, derisa neutralizimi i tyre vë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional të AKI-së, Policisë dhe Prokurorisë Speciale”, tha ai.
Fetoshi vlerëson se rasti Sheholli tregon mënyrën se si BIA synon të ndikojë dhe destabilizojë Kosovën përmes dezinformimit, delegjitimimit të UÇK-së e NATO-s dhe radikalizmit fetar.
Ai thekson se kundërzbulimi është thelbësor për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.
“Edhe në aktakuzën për Shehollin shpërfaqet ‘modus operandi’ e BIA-s, që synon mbledhjen apo shpërndarjen e informacionit për ndikim, delegjitimimin e UÇK-së e të NATO-s dhe në veçanti, investimet në radikalizmin fetar për ta bërë Kosovën “Kandahar”.
Në kontekstin e qëllimeve hegjemoniste të Serbisë, këto janë kërcënime hibride në funksion të destabilizimit dhe sabotimit të Republikës së Kosovës. Prandaj, kapacitetet e kundërzbulimit janë thelbësore për sigurinë kombëtare” – deklaron ai.
Hoxha: Zakonisht rrjetet e spiunazhit shtetërore, janë komplekse dhe funksionojnë përmes një cikli të strukturuar
Kurse, nohësi i sigurisë, Valdet Hoxha, thotë se rrjetet e spiunazhit janë të strukturuara dhe përdorin forma të ndryshme për rekrutimin dhe shfrytëzimin e individëve.
Sipas tij, shërbimet serbe përdorin presionin financiar, familjar, ideologjik dhe etnik përmes personave apo OJQ-ve me qasje në institucione.

Valdet Hoxha
“Zakonisht rrjetet e spiunazhit shtetërore, janë komplekse dhe funksionojnë përmes një cikli të strukturuar: rekrutimi, mbledhja e informatave, transmetimi dhe përdorimi i tyre për subversion ose destabilizim. Pra nuk kemi të bëjmë vetëm me rekrutimin e individëve.
Në rastin specifik të veprimit të shërbimeve serbe si BIA ose VOA ndaj Kosovës, rrjeti i spiunazhit duket se funksionon përmes shfrytëzimit të nevojave financiare, presionit familjar, komprometimit apo bindjeve ideologjike/etnike e kjo përmes OJQ-ve apo personave me qasje në institucione, të cilët financohen përmes kompanive fantazmë ose transferëve jozyrtare” – u shpreh Hoxha për “Bota sot”.
Hoxha thekson se qëllimi i shërbimeve serbe është përhapja e dezinformatave, nxitja e tensioneve dhe dëmtimi i imazhit të Kosovës. Ai vlerëson se institucionet e sigurisë, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, kanë krijuar kapacitete për identifikimin dhe neutralizimin e këtyre rrjeteve të spiunazhit.
“Natyrisht që shërbimet inteligjente përdorin metoda të ndryshme e në rastin e Serbisë ndaj Kosovës, pavarësisht metodave të përdorura, qëllimi mbetet i njëjtë: Përhapja e lajmeve të rreme, nxitja e tensioneve ndëretnike dhe krijimi i narrativave për të krijuar frikë dhe panik te qytetarët dhe qëllimi final për të dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Fatmirësisht Strukturat e sigurisë në Kosovë (AKI, Policia e Kosovës Prokuroria Speciale, tashmë kanë ndërtuar struktura solide operacionale e po ashtu bashkëpunojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë (KFOR, shërbimet aleate) për identifikimin, ndjekjen dhe neutralizimin e këtyre rrjeteve të spiunazhit e kjo përmes masave operacionale të kundërzbulimit” – përfundon ai për “Bota sot”.
