Lajme

Aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve për vrasjen e Liridona Ademajt

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur sot aktakuzë, pas një viti për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt po akuzohen Naim Murseli, ish-bashkëshorti i Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla e Granit Plava.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, tha se ky rast ka qenë i ndjeshëm dhe për atë ka qenë një kufizim për dhënie të informacioneve.

“Kemi siguruar ekspertiza edhe nga jashtë edhe brenda vendit tonë. Ky rast ka qenë shumë i ndejshëm për ata edhe ka qenë i kufizuar”, deklaroi Gashi.

TS Poll - Loading poll ...

Ndërkaq, prokurorja e rastit, Javorka Prelinqeviq, tha se e kanë kuptuar se pse ka ndodhur motivi i vrasjes në momentin kur kanë bashkëpunuar me shtetit suedez.

“Prova materiale në këtë lëndë janë grumbulluar shumë shpejt, megjithatë se çfarë ka munguar, ka munguar motivi i cili i ka shtyrë kryerësit e veprës penale për të kryer këtë vepër. Andaj iu kemi drejtuar edhe Mbretërisë së Suedisë për raportet e tyre duke e marre parasysh se ata kane qenë edhe shtetas të Suedisë. Kemi ardhur deri te motivi, e kemi shpjeguar dhe pastaj e kemi kuptuar pse ka ndodhur vrasja e saj”, tha prokurorja e rastit, Javorka Prelinqeviq.

Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit, në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpinë e saj me bashkëshortin dhe dy fëmijët.

Rasti fillimisht ishte cilësuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.

Më pas ditën kur u varros Liridona, Policia arrestoi Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, si të dyshuar për involvim në këtë rast.

Dyshimet janë se vrasjen e kishte kryer Granit Plava, pasi Murseli ia kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK’së. Sipas raportimeve, ai ia kishte gjetur dorasin Murselit.

Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.