Lajme

Aktakuzë ndaj tre të pandehurve në rastin e mashtrimit me kriptovaluta

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj tre të pandehurve me inicialet A.L., R.J. dhe V.N., nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” në bashkëkryerje, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit më 17 prill 2026 në Ferizaj, në rrugën “Cen Dugolli”, kanë mashtruar disa persona duke u paraqitur rrejshëm se posedonin kriptovaluta të llojit USDT, të cilat do t’i transferonin përmes portofolit digjital (“wallet”). Ata kishin marrë me qira një lokal ku zhvillonin takimet dhe arritën t’u marrin të dëmtuarve shumën prej 12 mijë euro.

Sipas skemës së përshkruar nga prokuroria, paratë vendoseshin në një çantë dhe futeshin në një dollap të modifikuar me një vrimë nga pjesa e pasme, përmes së cilës të dyshuarit i merrnin pa dijeninë e viktimave, duke u larguar më pas në drejtim të panjohur.

Hetimet kanë zbuluar se e njëjta metodë është përdorur edhe në një rast tjetër në Kaçanik, në rrugën “Ismail Reka”, ku të pandehurit kishin planifikuar një tjetër transaksion fiktiv me vlerë rreth 50 mijë euro.

Po ashtu, sipas aktakuzës, dy nga të pandehurit, A.L. dhe R.J., dyshohet se në gusht të vitit 2024 në Ferizaj kanë mashtruar një person tjetër përmes rrjeteve sociale si “Telegram”, “Viber” dhe “WhatsApp”, duke i marrë 2 mijë euro me premtimin për transferim të kriptovalutave, të cilat nuk janë realizuar.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Të Ngjashme