Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet R.E., nën dyshimin për përfshirje në shitblerje të narkotikëve.
Sipas aktakuzës, i pandehuri, në një periudhë kohore deri më 8 tetor 2025, rreth orës 06:00, në Gjakovë, me qëllim shitjeje ka poseduar substanca që me ligj janë të shpallura si narkotike.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar substancë narkotike të llojit marihuanë në peshë të përgjithshme prej 4 kilogramë e 670.06 gramë.
Me këto veprime, sipas prokurorisë, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me ligjin për veprën penale që i vihet në barrë.
