Ylli i “Piratëve të Karaibeve”, Orlando Bloom, ka zbuluar së fundmi se ka ndjekur një procedurë të njohur si aferezë, një trajtim që i kushtoi gati 11,000 dollarë, për të nxjerrë nga gjaku mikroplastikat dhe toksinat e tjera. Afereza është një proces mjekësor ku gjaku hiqet nga trupi, filtrohet ose centrifugohet dhe më pas kthehet në organizëm, zakonisht për trajtimin e sëmundjeve autoimune ose niveleve të larta të qelizave ose proteinave.
Megjithatë, përdorimi i saj për “detoksifikimin” nga mikroplastikat nuk është provuar shkencërisht. Bloom tha se dyshon se ekspozimi i përditshëm ndaj plastikës e ka ndikuar trupin e tij dhe dëshiron ta largojë atë. Shkencëtarët kanë gjetur mikroplastika në ajër, ujë, tokë, ushqim dhe madje edhe brenda indeve njerëzore, por mënyra e largimit të tyre nga gjaku mbetet ende e paqartë.
Ekspertët paralajmërojnë se procedura, e ngjashme me dializën, mund të ketë efekte të papritura: tubat dhe filtrat plastikë të përdorur mund të fusin vetë mikroplastikën në qarkullimin e gjakut. Aktualisht nuk ka prova shkencore që tregon se mikroplastikat mund të hiqen efektivisht nga gjaku i njeriut.
Specialistët nënvizojnë se, në vend të trajtimeve të shtrenjta dhe të pasigurta, një qasje më e efektshme është ulja e ekspozimit ndaj plastikës në jetën e përditshme. Rasti i Blumit nxjerr në pah një shqetësim të gjerë publik: ndërsa dëshira për të pastruar trupin nga toksinat dhe mikroplastikat është e kuptueshme, zgjidhjet duhet të bazohen në shkencë të rigorozë dhe strategji afatgjata për të reduktuar përdorimin e plastikës.
