Lajme

Akuza të ndërsjella mes Rashiqit dhe Listës Serbe lidhur me zbatimin e ligjeve për të huajt dhe automjetet

Lideri i partisë “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë”, Nenad Rashiq, u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Kosovë, e në veçanti Listës Serbe, që “të marrin përgjegjësi dhe të përfshihen në mënyrë aktive në hartimin e propozimeve juridiko-teknike, të cilat mund t’u dërgohen institucioneve kompetente të Kosovës, me qëllim që të sigurohet një tranzicion sa më pak i dhimbshëm dhe të lehtësohet zbatimi i rregullave për qytetarët tanë”.

Rashiq tha se bëhet fjalë për propozime lidhur me zbatimin e plotë të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet, duke vlerësuar se përgjegjësia e politikanëve është të gjejnë forma se si “në mënyrë efikase dhe racionale të përshtatemi me zbatimin e tyre”.

“Vlerësoj se është e domosdoshme të flitet hapur dhe me përgjegjësi për këto çështje dhe të ndërmerren hapa konkretë, sepse situata aktuale ndikon drejtpërdrejt në jetën, sigurinë dhe dinjitetin e një numri të madh njerëzish”, u tha në njoftim.

Faza e parë e zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet ka nisur më 16 janar dhe do të zgjasë deri më 15 mars dhe në këtë periudhë përfshihet informimi i qytetarëve për rregullat e reja.

Zbatimi i këtyre rregullave do të prekë pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, të cilët deri më tani kanë drejtuar automjete me targa të ndonjë qyteti në Serbi me autorizim ose nuk kanë dokumente të Kosovës.

Po ashtu, të punësuarit në institucionet shëndetësore dhe arsimore në mjediset serbe në Kosovë, të cilat funksionojnë në sistemin e Serbisë, mund të përballen me probleme kur të nisë zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt, sepse, sipas rregullave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të publikuara më 16 janar, të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës duhet të kenë leje pune ose licencë për punë, për të cilën kërkesa paraqitet në Agjencinë e Punësimit të Kosovës.

Në praktikë, kjo do të nënkuptonte që institucionet arsimore dhe shëndetësore, që funksionojnë sipas sistemit serb, të kenë licencë nga institucionet e Kosovës.

Rashiq vlerësoi se nuk mund të injorohet fakti se “mungon reagimi dhe angazhimi adekuat i atyre që paraqiten si përfaqësues legjitimë politikë të popullit serb”, duke aluduar në Listën Serbe.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit fitoi nëntë nga dhjetë vendet në Kuvendin e Kosovës të rezervuara për komunitetin serb, ndërkaq një e fitoi Rashiqi.

Lista Serbe në reagimin e saj tha se Rashiq, edhe pse pretendon se “është në dispozicion për të gjitha propozimet dhe sugjerimet dhe për t’i përcjellë ato për shqyrtim dhe analizë të mëtejshme te institucionet përkatëse”, pa kurrfarë legjitimiteti dhe mbështetjeje nga populli serb merr pjesë në pushtetin e Albin Kurtit dhe voton për të gjitha masat që janë drejtpërdrejt të drejtuara kundër serbëve në Kosovë dhe Metohi”.

Rashiq ishte ministër në Qeverinë e Albin Kurtit pasi Lista Serbe në nëntor të vitit 2022 u tërhoq nga institucionet e Kosovës.

Lista Serbe në njoftim pretendoi se Rashiq “asnjëherë nuk e ka ngritur zërin kundër shumë veprimeve antiserbe të regjimit në Prishtinë”, si dhe se ai mbështet një pushtet që “rrezikon të drejtat e popullit serb”.

Veprime antiserbe, Lista Serbe kryesisht konsideron mbylljen e institucioneve që funksionojnë në sistemin e Serbisë.

Lista Serbe njoftoi për këto çështje ka zhvilluar dhjetëra takime me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe se përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë marrë vendim që “të formojnë edhe një ekip të veçantë ekspertësh që merret me zgjidhjen e këtij problemi”.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më 16 janar deklaroi se, krahas zbatimit të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet, është e domosdoshme integrimi i institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe, duke shtuar se procesi do të zbatohet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe se do të merren parasysh shqetësimet e komuniteteve joshumicë.

Deri më tani, rregullimi i shëndetësisë dhe arsimit është përmendur në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 2013. Ky asociacion, që ende nuk është krijuar, ndër të tjera, duhej të rregullonte funksionimin e institucioneve serbe, pagat dhe financimin nga buxheti i Serbisë.

Kosova dhe Serbia në vitin 2023 në parim e kanë pranuar Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, e cila, ndër të tjera, parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përkatësisht ofrimin e një niveli të caktuar të vetëmenaxhimit për komunitetin serb.

Ndërkohë, një grup organizatash joqeveritare serbe njoftoi më 23 janar se, lidhur me paralajmërimin për zbatimin e plotë të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet, ka biseduar me përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë dhe i ka ftuar ata për angazhim më të madh.

Nisma e Re Shoqërore, Qendra për Veprime Afirmative Shoqërore, Aktiv dhe Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial i kanë bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të insistojë në “konsultime të gjera dhe gjithëpërfshirëse me komunitetin serb, që do të përfshinin përfaqësues relevantë politikë, shoqërinë civile dhe komunitetin akademik, si parakusht për çfarëdo hapash të mëtejmë lidhur me këto korniza ligjore”. /REL

Të Ngjashme