Presidenti serb Aleksandar Vuçiç po përballet me akuza serioze që e lidhin me të ashtuquajturat “safari snajperësh” gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet 1990. Sipas kallëzimit të paraqitur në Prokurorinë e Milanos, Vuçiç dyshohet se ka marrë pjesë ose ka ndihmuar në organizimin e një skeme ku të huajit paguanin forcat serbe të Bosnjës për të qëlluar mbi civilë nga pozicione të ngritura.
Gazetari investigativ kroat Domagoj Margetiç, i cili ka dorëzuar dosjen, pretendon se Vuçiç ka qenë i pranishëm në vijën e frontit në vitet 1992–1993 dhe se ka vepruar si vullnetar lufte në Sarajevë. Në kallëzimin e tij, ai përfshin një video të vitit 1993, ku Vuçiç dyshohet se shfaqet me një armë pranë personave të armatosur në varrezat hebraike të qytetit, si dhe intervista të supozuara të kohës së luftës e dëshmi të zyrtarëve boshnjakë.
Sipas gazetarit, Vuçiç ka qenë pjesë e Njësitit Çetnik të Sarajevës së Re, brenda Ushtrisë së Republikës Serpska, dhe ka kaluar muaj të tërë i pozicionuar në zonat e quajtura kritike, përfshirë varrezat hebraike të cilat përdoreshin si pikë strategjike për snajperët.
Akuzat vijnë në një periudhë kur prokurorët italianë kanë hapur hetime për shtetas italianë që dyshohet se kanë marrë pjesë në të njëjtën skemë “safari snajperësh”, të cilët mund të përballen me akuza për vrasje të rëndë.
/tiranapost
