Gjykata e Apelit në Dublin ka rrëzuar ankimimin e Conor McGregor kundër një vendimi civil që e shpalli fajtor për sulm seksual ndaj Nikita Hand, e cila e akuzon për përdhunim në një hotel në Dublin në vitin 2018. McGregor ishte urdhëruar më parë të paguajë 206 mijë paund dëmshpërblim dhe shpenzime gjyqësore.
Apeli u mbështet në pretendimet se përgjigjet e tij “pa koment” gjatë intervistave me policinë nuk duhej të paraqiteshin para jurisë dhe se pyetja drejtuar jurisë ishte e formuluar gabim. Gjykata e hodhi poshtë të gjitha këto argumente, duke vendosur se nuk kishte pasur rrezik për një proces të padrejtë dhe se pyetja nuk mund të kishte shkaktuar konfuzion.
Gjithashtu, u rrëzua edhe ankesa e mikut të tij, James Laërence, lidhur me pagesën e shpenzimeve gjyqësore, megjithëse juria e kishte shpallur atë të pafajshëm për sulm.
Në fillim të procesit, McGregor tërhoqi një kërkesë për të paraqitur prova të reja që synonin të vinin në dyshim origjinën e dëmtimeve në trupin e Hand. Gjykata e cilësoi këtë tërheqje si të “çuditshme” dhe i akordoi Nikita Hand shpenzimet gjyqësore për këtë aspekt.
Jashtë gjykatës, Hand u shpreh se procesi e kishte rikthyer traumën, por se tani ndihej më e fortë dhe inkurajoi të mbijetuarit e tjerë të mos heshtin.
