Ndërsa kompanitë e Inteligjencës Artificiale po rriten në vlerë, po zhvillohet një debat i vazhdueshëm rreth mënyrës se si Al po zëvendëson njerëzit në vende të ndryshme pune.
Studimet tregojnë se rolet ku Al mund të automatizojë shumicën e detyrave do të ndikohen, megjithatë disa analistë besojnë se Al mund të krijojë edhe vende të reja pune.
David Shim, CEO i kompanisë Read AI, tha se edhe me përparimin e mjeteve të Al, në fund të fundit vendimet mbi rrjedhën e veprimeve do të mbeten tek njerëzit dhe puna e tyre do të vazhdojë të ketë rëndësi.
“Mendoj se gjithmonë do të ketë një njeri në mes”, tha Shim.
“Mendoj se puna do të bëhet më e lehtë me kalimin e kohës. Por një shembull i mirë është si të ngasësh një veturë. Kur filluam për herë të parë, kishe një hartë. E nxirrje hartën dhe shkoje brenda duke thënë: ‘Po ngas veturën’. Ti vendosje çfarë ndodhte. Tani të gjithë përdorin Waze ose Google Maps, dhe harta të tregon se ku të shkosh. Por ti je njeriu në mes që vendos çfarë ndodh”, shtoi ai.
Shim pranoi se Al do të ndikojë në disa vende pune, duke përmendur se agjencitë e reklamave mund të humbasin role njerëzore për shkak të mjeteve të automatizuara. Megjithatë, ai theksoi se platformat teknologjike do të kenë ende nevojë për njerëz që të mbikëqyrin procesin e automatizimit.
Abdullah Asiri, themeluesi i startup-it të mjeteve të mbështetjes së konsumatorëve të mundësuar nga Al, Lucidya, tha se Al mund të zëvendësojë detyrat, por jo rolet.
“Kur klientët përdorin Lucidya, agjentët e mbështetjes shpesh marrin role dhe përgjegjësi të ndryshme. Disa bëhen mbikëqyrës që udhëzojnë njerëzit dhe Al, ndërsa të tjerët marrin përsipër përgjegjësi për ndërtimin e marrëdhënieve dhe zhvillimin e biznesit duke përdorur kohën që kursejnë,” tha Asiri.
Ndërsa kompanitë teknologjike si Read AI dhe Lucidya përdorin gjithnjë e më shumë mjete Al, ato vazhdojnë të operojnë me ekipe të vogla. Ekipi i shërbimit ndaj klientit i Read AI përbëhet nga vetëm pesë persona, të cilët shërbejnë miliona përdorues mujorë.
Shim vuri në dukje se kompania përdor Al për të rritur produktivitetin e ekipit të vogël dhe për t’u dhënë më shumë kontekst për të bërë punën më shpejt dhe me efikasitet.
Read AI raportoi se mjeti i saj i shitjeve ndihmon në parashikimin e gjendjes së një marrëveshjeje duke përdorur të dhëna nga sistemet CRM si HubSpot dhe Salesforce. Startup-i tha se ka parë marrëveshje me vlerë 200 milionë dollarë të realizuara përmes këtij sistemi.
