Kosova është tronditur nga tri vrasje të rënda brenda një periudhe të shkurtër, duke ngritur shqetësime për sigurinë publike.
Rasti i parë ndodhi në Gjakovë, ku një 38-vjeçar u vra me armë zjarri, ndërsa një 29-vjeçar mbeti i plagosur; autori u dorëzua më vonë në polici.
Rasti i dytë përfshiu një përleshje mes dy vëllezërve, ku njëri humbi jetën dhe tjetri u arrestua.
Ndërsa rasti i tretë ndodhi në Majac të Podujevës, ku një grua vrau një burrë dhe e dyshuara për vrasjen.
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci në një përgjigje për “Bota sot”, paralajmëron se numri i madh i armëve ilegale në duart e qytetarëve po rrit rrezikun për vrasje, konflikte dhe pasiguri.
Ai thekson se kjo situatë kërkon masa urgjente dhe strategji të mirëfillta, jo veprime të rastësishme.
“Po dhe për vetëm pak ditë, disa vrasje kanë tronditur vendin.
Vrasjet nuk janë ndaluar as më përpara, shumë armë ilegale janë në duar të qytetarëve edhe pse i kemi të gjitha institucionet e konsoliduara.
Këto ngjarje të rënda rikthejnë në vëmendje një realitet shqetësues, pra numrin e madh të armëve ilegale në duar të qytetarëve.
Armët pa leje nuk janë thjesht statistikë, në aspektin kriminalistik ato janë potencial për tragjedi familjare, për konflikte që përshkallëzohen në mënyrë të pakthyeshme, për fuqizim të krimit dhe për pasiguri të vazhdueshme në komunitet.
Çdo armë ilegale është një kërcënim i vazhdueshëm për jetën, për pronën dhe për stabilitetin tonë shoqëror.
Kjo çështje kërkon strategji serioze të menjëhershme dhe qasje gjithëpërfshirëse, jo veprime sporadike” – tha ia për gazetën.
Dashevci thekson se duhen kontrolle më të forta dhe hetime ndaj armëve ilegale, bashkëpunim më i mirë mes institucioneve dhe fushata vetëdijësuese për rrezikun e tyre.
Ai propozon edhe një periudhë amnistie për dorëzimin vullnetar të armëve, duke e parë sigurinë si përgjegjësi të përbashkët dhe çarmatimin si domosdoshmëri për të ardhmen.
“Unë mendoj që nevojitet forcim i kontrolleve dhe hetimeve ndaj posedimit dhe tregtisë ilegale të armëve, bashkëpunim i ngushtë ndërinstitucional, si dhe organizim i fushatave të gjera vetëdijësuese mbi rrezikun real që paraqesin armët në shtëpi.
Në këtë kuadër, edhe çështja e amnistisë duhet trajtuar me seriozitet dhe përgjegjësi. Një periudhë e kufizuar amnistie, e shoqëruar me garanci ligjore dhe fushatë të qartë informuese, mund të jetë instrument efektiv për të nxitur dorëzimin vullnetar të armëve pa pasoja penale për poseduesit, përveç rasteve kur ato janë përdorur në vepra penale.
Siguria publike nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve, ajo është përgjegjësi kolektive dhe mbetet si e tilë.
Çarmatimi i shoqërisë nga armët ilegale është investim në jetën, në rendin dhe në të ardhmen tonë”, theksoi ai.
