Shëndetësi

Alarm për testet mjekësore në shtëpi: Shumë prej tyre të pasakta dhe me udhëzime të paqarta

Një numër në rritje vetë-testesh shëndetësore kanë mbushur raftet e farmacive dhe supermarketeve, duke premtuar zbulimin e problemeve që nga mungesa e vitaminave e deri te pjelloria dhe kanceri. Por dy studime të reja paralajmërojnë se shumë nga këto produkte janë të dyshimta, japin udhëzime të paqarta dhe bien ndesh me standardet mjekësore.

Sipas studiuesve nga Universiteti i Birminghamit, shumica e vetë-testeve që analizuan – 30 në total për 19 gjendje të ndryshme shëndetësore – nuk ofronin informacion të mjaftueshëm mbi përdorimin, interpretimin e rezultateve apo hapat pasues. Vetëm 14 teste përmendnin saktësinë, ndërsa vetëm 7 udhëzonin përdoruesin se çfarë të bënte pas testimit.

Dr. Alex Richter, profesor i imunologjisë klinike dhe bashkëautor i kërkimit, theksoi se konsumatorët kanë të drejtë të presin teste të sakta dhe të bazuara në prova. “Fatkeqësisht, shumë teste dhanë udhëzime të paqarta ose të paktën mungonin”, tha ai.

Hulumtimi zbuloi se kompanitë Newfoundland dhe Suresign ofronin disa nga testet më problematike, duke përfshirë ato për menopauzën, mungesën e vitaminës D dhe probleme të tiroides. Në shumë raste, pretendimet për saktësinë e testit nuk mbështeteshin në prova publike ose ishin të cilësisë së ulët.

Ekspertët theksojnë se vetë-testet nuk duhet të zëvendësojnë këshillat dhe diagnostikimin profesional. “Ky hulumtim tregon se këto vetë-teste shpesh nuk ofrojnë njohuri ose informacione relevante”, tha Dr. Amitava Banerjee nga University College London.

Studiuesit bëjnë thirrje për rregullim më të fortë të tregut të vetë-testeve dhe paralajmërojnë për rrezikun e keqinformimit dhe vendimeve të gabuara shëndetësore. Megjithatë, ata pranojnë se disa teste të tilla, si ato të shtatzënisë ose COVID-19, kanë treguar se mund të jenë të dobishme kur përdoren në mënyrë korrekte.

“Ne nuk duam teste të këqija në treg”, përfundoi Richter, “ne duam teste të mira dhe të besueshme.”

Të Ngjashme