Për shumë njerëz, veçanërisht ata që janë “bufë nate”, zgjimi është pjesa më e vështirë e ditës. Kjo është arsyeja pse ata mbështeten në vendosjen e alarmeve të shumta për t’u zgjuar gradualisht.
Megjithatë, edhe pse largimi nga një shtrat i ngrohtë mund të duket i pamundur, ekspertët paralajmërojnë se zakoni i shtyrjes së alarmeve në mënyrë të përsëritur është më i dëmshëm nga sa mendojmë, sepse prish ciklet kryesore të gjumit dhe e ekspozon trupin ndaj stresit në mënyrë të panevojshme.
Pse është e dëmshme shtyrja e alarmit?
Ekspertja e Wellness-it, Jordan Bruce, ndan rregullisht këshilla shëndetësore në mediat sociale dhe së fundmi paralajmëroi për pasojat negative të përdorimit të alarmeve të shumta.
“Nëse je një nga ata njerëz që vendosin alarme të shumëfishta, kam disa lajme të këqija për ty,” shpjegoi ajo në një video në TikTok. “Zgjimi me alarme të shumëfishta çdo mëngjes shpesh prish seriozisht ciklin tënd të gjumit REM.”
Sipas ekspertëve, një gjumë i tillë me ndërprerje mund të ndikojë negativisht në produktivitetin, kujtesën dhe të nxënit gjatë ditës, raporton Index .”Në fakt shkakton inerci gjumi, rritje të përgjumjes, lodhje, luhatje humori dhe rrit nivelet e kortizolit”, shpjegoi Bruce në detaje. “Sa herë që bie alarmi, trupi kalon në modalitetin “lufto ose ik”, kështu që të zgjohesh në mëngjes në atë gjendje është shumë stresuese.”
Edhe pse shumë njerëz besojnë se shtyrja e alarmit i ndihmon të zgjohen gradualisht dhe të “vjedhin” disa minuta më shumë gjumë, në fakt ata i bëjnë vetes një shërbim të keq dhe ndihen më të lodhur dhe të plogësht.
“Përpjekja për t’u rikthyer në gjumë pasi e keni shtyrë alarmin, vetëm për t’ju zgjuar pesë minuta më vonë, ngatërron trupin dhe trurin tuaj. Nuk është pjesë e ciklit natyror të gjumit dhe për këtë arsye nuk ofron asnjë përfitim”, sipas Headspace Group.
Si të shpëtoni nga ky zakon?
Pasi shumë përdorues iu ankuan asaj se e kishin të vështirë të zgjoheshin vetëm me një alarm, Bruce ofroi tre hapa për të përmirësuar cilësinë e gjumit dhe për t’u zgjuar më lehtë.
Hapi i parë është të ruani një ritëm të rregullt cirkadian.
“Kjo do ta ndihmojë trupin tuaj të rregullojë natyrshëm ciklin e tij të gjumit dhe zgjimit,” shpjegoi ajo. “Kjo do të thotë të shkosh në shtrat dhe të zgjohesh afërsisht në të njëjtën kohë çdo ditë, madje edhe në fundjavë, për të krijuar një ritëm.”
Më pas ajo u kujtoi shikuesve se truri i njeriut është i adaptueshëm dhe i aftë të krijojë zakone të reja.
“Riprogramimi i trurit tuaj kërkon pak përpjekje dhe shumë qëndrueshmëri, dhe ju premtoj se do të keni sukses,” tha ajo.
Bruce gjithashtu këshilloi që ta lini telefonin celular ose orën me zile në anën tjetër të dhomës. Kjo do t’ju detyrojë të ngriheni për ta fikur. Edhe pse nuk është opsioni më i këndshëm, është sigurisht efektiv.
“Do ta dëgjosh përfundimisht, edhe nëse bie për pesë minuta, dhe nëse duhet të ngrihesh fizikisht nga shtrati, qëndro në këmbë”, tha Brus.
Përfitime afatgjata dhe zgjim më i lehtë
Ndërkohë që në fillim mund të jetë sfiduese të përshtatesh me zgjimin vetëm me një alarm, në planin afatgjatë do të ketë shumë përfitime. Shumë njerëz e shtyjnë alarmin sepse janë në gjumë të thellë, nuk e kuptojnë se e kanë shtypur ose thjesht ndihen të privuar nga gjumi. Megjithatë, ky zakon e pengon trupin të marrë pushimin që i nevojitet.
Në vend që ta shtyni alarmin çdo pesë deri në dhjetë minuta, merrni në konsideratë vendosjen e një alarmi për kohën kur duhet të zgjoheni vërtet. Ka të ngjarë të ndiheni shumë më të pushuar.
“Kur të bjerë alarmi në mëngjes, zgjohu! Mos vazhdo ta qortosh veten”, theksoi Bruce.
Pasi bie alarmi, ka disa mënyra të dobishme për ta bërë veten më vigjilentë. Pi një gotë ujë, bëj disa ushtrime shtrirjeje ose thjesht shko në banjo. Disa madje rekomandojnë të bësh një duzinë kërcimesh për të ndihmuar mendjen dhe trupin tënd të zgjohen më shpejt.
Përshtatja mund të duket e pamundur në fillim, por pas javës së parë bëhet më e lehtë. Me kalimin e kohës, trupi dhe mendja juaj do të mësohen të zgjohen në të njëjtën kohë dhe do të jeni mirënjohës ndaj vetes për ndryshimin.
