Shërben si objekt ndalimi për kryerës të veprave penale.
Në këtë Qendër, qytetarë të dyshuar ndalohen kryesisht për 48 orë.
Por kushtet higjienike në këtë Qendër Ndalimi në Rahovec, duket se nuk janë fare të mira.
Në dhomat e këtij objekti janë hasur mbetje ushqimore, derisa tualetet dhe lavamanët nuk pastrohen sa duhet.
Këto janë vetëm disa nga të gjeturat e Inspektoratit Policor të Kosovës.
“Dyshekët e jastëkët janë të njollosur dhe ka mungesë të çarçafëve për mbulim të dyshekëve. Në përgjithësi, niveli i pastërtisë brenda hapësirave të Qendrës nuk është i duhur. Stacioni ka të angazhuar dy punonjës civil si pastrues dhe shfrytëzon kontratën për shërbime të pastrimit të mbulojave në qendrat e mbajtjes në objektet e Policisë së Kosovës. Pavarësisht këtyre kapaciteteve, niveli i higjienës brenda hapësirave të Qendrës vlerësohet në nivel jo të kënaqshëm”, thuhet në raportin e IKP-së.
Në këtë raport, gjithashtu theksohet gjetja e disa mjeteve të forta.
“Në dhomën e lavanderisë brenda hapësirës së Qendrës së Ndalimit, dera e së cilës është hasur e hapur, janë hasur mjete të forta (tullë betoni, lopatë, tavolinë, karrige, kabllo dhe mjete tjera të forta metalike). Prania e pajisjeve dhe objekteve të forta, që janë potencialisht të rrezikshme, përbën rrezik serioz për sigurinë e të ndaluarve dhe zyrtarëve mbikëqyrës në Qendër”, thuhet tutje nga IKP.
Kësisoj, IPK ka drejtuar shtatë rekomandime drejt menaxhmentit të Policisë për këtë çështje.
Nga Policia Rajonale e Gjakovës, për tëvë1 kanë thënë se janë ndërmarrë veprime në këtë drejtim, por pa treguar se cilat janë ato.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka zbatuar menjëherë katër nga shtatë rekomandimet që ishin në kompetencë të saj, ndërsa tri rekomandimet e tjera janë në fazën e implementimit, në bashkëpunim me të gjitha njësitë përkatëse brenda Policisë së Kosovës”, thuhet nga Policia në Gjakovë.
Përsëritja e rekomandimeve, pa u plotësuar ato, po shihet shqetësuese nga ish-eprorë të Policisë.
“Menaxhmenti i Policisë duhet në një kohë të caktuar rekomandimet të cilat paraqiten nga ana e IPK-së, ato të mbetura t’i evitojë dhe në këtë mënyrë secili menaxhment në Polici të merr përgjegjësinë për rekomandimet të cilat nuk i ka plotësuar. Është detyrë e Inspektoratit që të kërkojë me ngulm që këto të rregullohen”, shprehet Refki Morina – nënkolonel në pension.
Sipas raportit të IPK-së, edhe në të kaluarën ishte rekomanduar largimi i mjeteve të rrezikshme nga këto hapësira në këtë Qendër Ndalimi në Rahovec, mirëpo sipas tyre, inspektimi tregon se nuk është vepruar.
