Lajme

Albin Kurti mbledhi Këshillin e Sigurisë, Rexhepi: Kosova nuk është spektatore – vigjilencë totale pranë SHBA-së

 

Mbrëmë vonë, me kërkesë të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë për të diskutuar zhvillimet e fundit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, pas operacionit ushtarak “Epic Fury” të ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe forcat partnere kundër Republikës Islamike të Iranit.

Në komunikatën për media thuhet se Republika e Kosovës, në përputhje me orientimin e saj euroatlantik dhe partneritetin e ngushtë me SHBA-të, mbështet veprimet e ndërmarra, duke i vlerësuar ato si masa që synojnë parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë dhe kufizimin e kapaciteteve destabilizuese në rajon.

Po ashtu, institucionet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të informohen vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe burimeve kredibile, duke shmangur dezinformatat dhe propagandën që synojnë krijimin e pasigurisë, tensioneve apo cenimin e stabilitetit të vendit.

Ish hetuesi, Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se mbledhja e jashtëzakonshme e thirrur nga Kryeministri Albin Kurti nuk është vetëm një formalitet, por një sinjal politik se Kosova mbetet vigjilente dhe e pozicionuar qartë pranë aleatëve të saj strategjikë.

Ai nënvizoi se Kosova nuk është spektatore, por shtet me orientim të qartë euro-atlantik, ndërsa partneriteti me SHBA-në është vijë e qëndrueshme strategjike që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe sovranitetin e vendit.

“Mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë, e thirrur nga Kryeministri Albin Kurti, nuk është thjesht një reagim formal institucional. Ajo është një mesazh i qartë politik: Kosova është vigjilente, e përgjegjshme dhe e rreshtuar qartë në anën e aleancave të saj strategjike.

Situata e krijuar në Lindjen e Mesme pas operacionit ushtarak “Epic Fury” të ndërmarrë nga SHBA dhe partnerët e saj ndaj Iranit, ka implikime globale. Në një botë të ndërlidhur, tensionet e mëdha gjeopolitike nuk mbesin të kufizuara në një rajon të vetëm. Ato reflektohen në siguri, ekonomi, energji, por edhe në betejën informative.

Kosova nuk është spektatore pasive e zhvillimeve ndërkombëtare. Ne jemi shtet me orientim të qartë euro-atlantik dhe me borxh historik e moral ndaj aleatëve tanë. Rreshtimi përkrah SHBA-së nuk është çështje momentale apo kalkulim ditor politik – është vijë strategjike e shtetit të Kosovës që nga dita e çlirimit dhe pavarësisë.

Në këtë kontekst, çdo përpjekje për ta relativizuar ose për ta paraqitur këtë rreshtim si “pozicionim të nxituar” është ose mungesë kuptimi të realitetit gjeopolitik, ose tentativë për të lëkundur boshtin strategjik të vendit. Kosova e ka të qartë se siguria dhe sovraniteti i saj janë të lidhura ngushtë me partneritetin me SHBA-në dhe botën demokratike”, ka thënë Rexhepi.

Aleancat nuk janë neutrale

Po ashtu, Rexhepi ka vlerësuar se në kohë përplasjesh të mëdha ndërkombëtare, shtetet duhet të tregojnë qartësi pozicionimi, duke theksuar se neutraliteti ndaj vlerave demokratike dhe arkitekturës perëndimore të sigurisë nuk është alternativë për Kosova.

“Në momente përplasjesh të mëdha ndërkombëtare, shtetet detyrohen të dëshmojnë qartësi. Neutraliteti në raport me vlerat demokratike dhe arkitekturën perëndimore të sigurisë nuk është opsion për Kosovën. Ne kemi zgjedhur kahun tonë – dhe ai është krahu i demokracive perëndimore.

Ky qëndrim forcon kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe dërgon sinjal se vendi ynë është partner serioz dhe i qëndrueshëm”, ka shtuar ai.

Lufta hibride dhe rreziku i dezinformatave

Tutje, Rexhepi ka theksuar se thirrja për qetësi dhe informim nga burime zyrtare është thelbësore në kohë krizash, kur shtohen dezinformatat, propaganda dhe përpjekjet për të krijuar panik e përçarje.

Sipas tij, Kosova po vepron si shtet serioz në arkitekturën ndërkombëtare të sigurisë dhe rreshtimi pranë Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një pozicionim strategjik për mbrojtjen e interesave afatgjata.

“Thirrja që qytetarët të qëndrojnë të qetë dhe të informohen vetëm nga burime zyrtare dhe kredibile është më shumë se apel formal. Në kohë krizash ndërkombëtare, intensifikohet lufta hibride – përfshirë propagandën, manipulimin e opinionit publik dhe përhapjen e panikut përmes rrjeteve sociale.

Rajoni ynë ka qenë shpesh terren i operacioneve të ndikimit të jashtëm. Në situata të tilla, dezinformatat synojnë të krijojnë frikë, përçarje dhe mosbesim ndaj institucioneve. Prandaj, qetësia, maturia dhe besimi në informacionin zyrtar janë elementë kyç për stabilitetin e brendshëm.

Institucionet duhet të vazhdojnë me transparencë maksimale, ndërsa qytetarët të tregojnë përgjegjësi qytetare duke mos u bërë pjesë e zinxhirit të shpërndarjes së lajmeve të pakonfirmuara.

Pra,Kosova po vepron si shtet serioz, i vetëdijshëm për rolin e tij në arkitekturën ndërkombëtare të sigurisë. Rreshtimi pranë SHBA-së nuk është deklaratë simbolike – është pozicionim strategjik që mbron interesat afatgjata të Republikës.

Në kohë pasigurish globale, forca e një shteti matet me qartësinë e qëndrimit dhe unitetin e brendshëm. Kosova ka zgjedhur qartësinë”, ka përfunduar Rexhepi.

Të Ngjashme