Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 28-vjetorin e masakrës së Likoshanit dhe Qirezit, duke nderuar 20 civilët shqiptarë të vrarë mizorisht nga forcat serbe.
Përmes një postimi, ajo theksoi se kjo ishte masakra e parë e luftës së fundit në Kosovë, ku pas 28 orësh bombardime me helikopterë dhe mjete të rënda ushtarake, forcat serbe hynë në fshatra dhe kryen krimin. Në përballje me këto forca ranë edhe katër pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Haxhiu veçoi rastin e Rukie Nebihut, 27-vjeçare, shtatzënë në muajin e shtatë, e cila u vra brenda dhomës së saj, ndërsa në prehër mbante vajzën trevjeçare.
Postimi i plotë:
Me dhimbje e respekt, kujtojmë viktimat e masakrës së Likoshanit dhe Qirezit, masakrës së parë nga lufta e fundit, ku u vranë mizorisht 20 shqiptarë civilë të paarmatosur.
Para 28 vjetësh, forcat ushtarake dhe policore serbe, me helikopterë dhe mjete të rënda ushtarake, bombarduan për 28 orë me radhë këto fshatra para se të hynin dhe të kryenin masakrën.
Në luftime kundër forcave serbe ranë katër pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Brenda dhomës, u vra me armë zjarri Rukie Nebihu, 27 vjeçare, e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë. Në prehër kishte vajzën e saj 3 vjeçare, të cilën e takuam sot.
Ndonëse urdhërdhënësit dhe kryesit njihen me emër dhe mbiemër, askush nuk u dënua për këtë masakër.
Sot, ne nderojmë kujtimin e të rënëve, martirëve dhe dëshmorëve tanë të kombit duke ripërsëritur edhe kërkesën për drejtësi.
Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit!
