Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu përmes një postimi në Facebook ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Haxhiu shpreh rëndësinë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur masën e përkohshme ndaj Dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, duke e konsideruar këtë një hap të nevojshëm për të parandaluar pasoja që mund të dëmtonin funksionimin kushtetues të institucioneve, përcjell “Bota sot”.
Ajo thekson se Kuvendi përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe se vendimmarrja institucionale duhet të respektojë parimet demokratike, jo veprime të njëanshme.
Haxhiu nënvizon se aktiviteti i Kuvendit mbetet i kufizuar për shkak të masës së Gjykatës, gjë që ndikon në funksionimin e tij në shërbim të qytetarëve, dhe shpreh pritshmëri që vendimi përfundimtar do të mbrojë Kushtetutën, rendin demokratik dhe funksionimin normal të institucioneve të Republikës.
Postimi i plotë
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme ndaj Dekretit për shpërndarjen e Kuvendit është një hap i rëndësishëm për të parandaluar pasoja që mund të dëmtonin funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit.
Kuvendi i Republikës përfaqëson drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve dhe roli i tij në jetën demokratike të vendit është i pazëvendësueshëm.
Vendimmarrja për institucionet nuk mund të jetë rezultat i veprimeve të njëanshme, por duhet të respektojë parimet e përfaqësimit demokratik.
Në këtë periudhë, për shkak të masës së vendosur nga Gjykata, aktiviteti i Kuvendit mbetet i kufizuar, gjë që ndikon drejtpërdrejt në mundësinë e institucionit për të ushtruar funksionin e tij në shërbim të qytetarëve.
Presim që brenda afatit të paralajmëruar Gjykata Kushtetuese të japë një vendim përfundimtar që do të mbrojë Kushtetutën, rendin demokratik dhe funksionimin e rregullt të institucioneve të Republikës.
