Analisti politik Afrim Kasolli ka komentuar për “Bota sot” garën e balotazhit dhe aleancat që janë lidhur mes partive politike në nivel lokal, duke theksuar se këto marrëveshje kanë treguar mungesë parimesh dhe dominim të interesave për pushtet.
Sipas tij, të gjitha vijat e kuqe u zhbënë sa hap e mbyll sytë.
“Gara në nivel lokal ka dëshmuar se të gjitha vijat e kuqe që partitë ia kishin vendosur njëra-tjetrës u zhbënë sa hap e mbyll sytë,” deklaroi Afrim Kasolli për “Bota sot”.

Analisti politik Afrim Kasolli
Sipas tij, këto zhvillime treguan qartë mungesën e një parimi të përgjithshëm në mënyrën si partitë ndërtojnë koalicionet lokale.
“Kjo garë e bëri të qartë mungesën e një parimi të përgjithshëm, ku një parti bën koalicion vetëm me një parti simotër në çdo komunë ku zhvillohet gara për balotazh, por marrëveshjet janë kushtëzuar nga interesat për pushtet të strukturave drejtuese lokale partiake,” theksoi Kasolli.
Ai solli edhe disa shembuj konkretë për mënyrën si janë ndërtuar këto aleanca.
“Bie fjala, në Komunën e Dragashit PDK dhe Vetëvendosje kanë bërë marrëveshje kundër LDK-së, kurse në Prizren PDK dhe LDK kundër Vetëvendosjes, etj. Pra, aty ku u konverguan interesat për pushtet, u harruan armiqësitë e nivelit qendror,” shtoi Kasolli.
Duke u ndalur te mundësia që këto aleanca lokale të reflektohen edhe në nivel qendror, Kasolli tha se gjithçka do të varet nga rezultati i zgjedhjeve të ardhshme.
“Nëse merren për bazë statistikat e koalicioneve në nivel lokal, më së shumti kanë dominuar ato ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, por, siç thamë, pa përjashtuar kombinimet tjera,” u shpreh ai.
Sipas tij, koalicioni në nivel qendror është i lidhur ngushtë me zhvillimet që pritet të sjellin zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
“Koalicioni në nivel qendror varet edhe nga rezultati i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që po bëhen të pashmangshme. Megjithatë, këto martesa lokale politike, të kushtëzuara nga interesat e përbashkëta për pushtet, kanë treguar se nuk mund të përjashtohet asnjë befasi nesër në nivel nacional,” përfundoi analisti Afrim Kasolli për “Bota sot”.


