Shëndetësi

Alergjitë sezonale: Ekspertët rekomandojnë të mos i neglizhoni!

Me ndërrimin e stinëve dhe ardhjen e pranverës, shumë njerëz përballen me alergji të ndryshme të cilat jua vështirësojnë përditshmërinë e tyre.

Më shumë se 400 milionë njerëz në mbarë botën përjetojnë rinit alergjik, një inflamacion i kanaleve të hundës nga një reagim ndaj alergjenëve të ajrit.

Zakonisht kjo ndodh kur sistemi juaj imunitar gabimisht identifikon diçka si të dëmshme, si qimet e kafshëve apo pluhurin, duke shkaktuar simptoma që mund të përfshijnë hundë që rrjedhin, sy që të kruhen, tështima dhe në rastin më të keq, vështirësi në frymëmarrje. 

Kur është sezonale, si në përgjigje të polenit, riniti alergjik quhet ethe bari. Përveç ndikimit në cilësinë  e jetës, ethet e barit mund të kenë pasoja afatgjata duke përfshirë rrezikun e zhvillimit të infeksioneve të frymëmarrjes dhe astmës.

Sipas një artikulli të BBC, ekzistojnë gjithashtu prova në rritje se simptomat e etheve të barit apo rinitit alergjik po rëndohen me ndryshimet klimatike.

Një pjesë e problemit është se edhe profesionistët e shëndetit nuk e marrin gjithmonë seriozisht rinitin alergjik, thotë alergologu klinik Stephen Durham, profesor emeritus i alergjisë dhe mjekësisë respiratore në Imperial College London dhe Royal Brompton Hospital. Ai pohon se mjekët e përgjithshëm shpesh u thonë pacientëve të shkojnë në farmaci për nja hape kundra alergjisë, në vend që t’i referojnë ata te një alergolog ose të marrin në konsideratë diçka parandaluese dhe afatgjatë, si imunoterapia me alergjenë.

“Riniti alergjik është një problem i madh dhe shpesh nënvlerësohet nga ata që nuk e kanë. Nëse mendoni për atë që bëjmë në jetë, punojmë, flemë dhe argëtohemi. Dhe të gjitha këto gjëra ndikohen seriozisht nga riniti alergjik”, bëri të ditur Durham.

Personat që vuajnë nga kjo problematikë shëndetësore kanë më shumë gjasa në të kenë vështirësi me rënien në gjumë dhe për të qëndruargjatë në gjumë pasi ndodh që zgjohen shpesh natën dhe ndihen të lodhur.

Artikulli bën të ditur se mund të ketë edhe pasoja të tjera shëndetësore. Meqenëse membranat e tyre mukoze janë të inflamuara kronikisht, sipas një studimi njerëzit që kanë alergji përjetojnë më shumë infeksione të frymëmarrjes, deri në dyfishin e tyre.

Megjithatë, ka lajme të mira, thonë alergologët. Terapi me cilësi të lartë, efektive dhe të sigurta janë tani në dispozicion për rinitin alergjik. Shumica trajtojnë simptomat. Por njëra prej tyre, imunoterapia me alergjenë, është më shumë një kurë, duke e “mësuar” trupin të reagojë më pak ndaj alergjenëve të caktuar dhe mund ta ridrejtojë rrugën e zakonshme nga ethet e barit në astmë, pasi mund të parandalojë madje edhe fillimin e astmës. 

Deri në vitin 1998, Organizata Botërore e Shëndetësisë publikoi një deklaratë konsensusi mbi imunoterapinë kundër alergjenëve që përfshinte administrimin nën gjuhë si një alternativë premtuese ndaj injeksionit, duke e legjitimuar terapinë në një shkallë globale.

Megjithatë, sipas ekspertëve ekziston një klasë barnash që synojnë rrugët kryesore imune të përfshira në reaksionet alergjike, duke ndaluar përgjigjen inflamatore të trupit.

Në disa raste barnat mund të jepen së bashku me imunoterapinë me alergjenë, një kombinim që është zbuluar se ul shanset e simptomave të rënda nazale me rreth 59% krahasuar me imunoterapinë vetëm. “Por ato nuk shkaktojnë falje afatgjatë të sëmundjes si imunoterapia”, thotë Durham. 

Zvogëlimi i shkaktarëve është gjithashtu i rëndësishëm. Alergologët rekomandojnë mbajtjen e dritareve të mbyllura, përdorimin e një pastruesi ajri dhe vendosjen e syzeve të diellit ose maskës kur dilni jashtë. Larja e duarve, fytyrës dhe zonës së syve dhe, idealisht, dushi, përfshirë flokët kur hyni në dhomë, veçanërisht para se të flini natën, gjithashtu mund të ndihmojë.

Të Ngjashme