Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të vlerësuar si të bazuar ankesën e Listës Serbe, pas të cilës rezultatet e këtij subjekti nuk u shpallën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Në një deklaratë, ambasada theksoi se vendimi riafirmon të drejtën e komuniteteve jo-shumicë, së bashku me të gjitha subjektet politike, për të marrë pjesë plotësisht në procesin demokratik, siç e garanton Kushtetuta dhe legjislacioni përkatës. “Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë proceset zgjedhore transparente dhe të bazuara në rregulla në Kosovë,” thuhet në postimin e ambasadës në Facebook.
Sipas njoftimit, ambasada inkurajon të gjitha institucionet dhe aktorët politikë që të respektojnë vendimet e institucioneve demokratike dhe të mbështesin integritetin e kornizës zgjedhore. “Një proces zgjedhor i besueshëm dhe gjithëpërfshirës është thelbësor për stabilitetin demokratik të Kosovës dhe për forcimin e besimit midis të gjitha komuniteteve,” shtohet më tej.
PZAP miratoi sot ankesën e Listës Serbe lidhur me vendimin e KQZ-së për të mos përfshirë listën e kandidatëve të saj në shpalljen e rezultateve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Paneli e konsideroi vendimin e 31 janarit të KQZ-së “të pajustifikuar” dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore. Sipas PZAP, shpallja e rezultatit përfundimtar duhet të përfshijë të gjitha subjektet politike pa përjashtim, për të respektuar parimet e barazisë, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, e vlerësoi vendimin e PZAP-së si “fitore të së drejtës, ligjit dhe parimeve demokratike” dhe një konfirmim të vullnetit zgjedhor të qytetarëve. Ajo bëri thirrje që institucionet kompetente të mundësojnë zbatimin e vendimit pa pengesa.
Më 31 janar, KQZ shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme, duke përjashtuar Listën Serbe nga shpallja e rezultateve, megjithëse tre anëtarë të Komisionit votuan për përfshirjen e saj, dy votuan kundër dhe të tjerët abstenuan. Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, e cilësoi mosmiratimin e përbërjes së Listës Serbe si “të pakuptimtë”.
Për këtë vendim mund të parashtrohet ankesë në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve. Përveç Listës Serbe, PZAP shqyrtoi edhe gjashtë ankesa të tjera, të cilat i refuzoi si të pabazuara.
