Lajme

Ambasadori i Shqipërisë në Shkup: Për mua, drejtësia nuk është dhënë, shqiptarët e dinë mirë se liria nuk na u fal

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar pas dënimit të shqiptuar sot ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ish-krerët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselit iu shqiptua dënimi me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim.

Kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith shpalli aktgjykimin dënues për të katër të akuzuarit.

Postimi pa ndërhyrje i Denion MeidanitIsha mbase tepër i ri kur Shqipëria, me babain tim, President të Republikës, hapi kufijtë dhe zemrën për refugjatët e Kosovës që iknin nga vrasjet, spastrimi dhe makina e terrorit të Millosheviçit.

Viti 1999 nuk është për mua vetëm histori.

Është kujtesë.

Kujtesa e një Shqipërie, por edhe e një Maqedonie të Veriut, që u bënë strehë e mburojë për qindra mijëra shqiptarë të Kosovës.

Kujtesa e një populli që luftonte për të mbijetuar, për të qenë i lirë, për të mos u zhdukur nga toka e vet.

Kujtesa e një kohe kur bota demokratike vendosi të mos qëndronte spektatore.

Njëzet e shtatë vjet më vonë, katër prej atyre guximtarëve që udhëhoqën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës u dënuan sot në shkallë të parë.

Për mua, drejtësia nuk është dhënë.

Sot, si Ambasador i Shqipërisë në Shkup, kjo peshë ndihet edhe më trishtueshëm, mes një komuniteti shqiptar që këtë luftë nuk e ka mësuar në libra. Bijtë e tij e kanë luftuar. Familjet e tij kanë sakrifikuar. Ky komunitet e njeh mirë çmimin e lirisë, sepse e ka paguar vetë.

Shqiptarët e dinë mirë se liria nuk na u fal.

U fitua me gjak.

U mbrojt me sakrificë.

U bë e mundur me guximin e UÇK-së dhe me ndërhyrjen vendimtare të NATO-s.

Prandaj, sot qëndrojmë me dinjitet pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe familjeve të tyre.

Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit.

Është shkalla e parë.

Ka apel.

Dhe duhet drejtësi për çlirimtarët.

Besoj fort në drejtësi dhe besoj se ky aktgjykim duhet të rrëzohet.

Sepse historia jonë mbase mund të gjykohet.

Por kurrë nuk mund të rishkruhet.

Të Ngjashme