Lajme

Analistët: Lajm i mirë zhbllokimi i Kuvendit, fokusi te presidenti

Në emisionin RTK Prime sonte u diskutuan ngjarjet kryesore të javës, përfshirë nisjen e punës së Kuvendit të Kosovës. Analistët e konsideruan lajm të mirë zhbllokimin e Kuvendit dhe nënvizuan nevojën për seanca të shpeshta për të gjetur konsensus për zgjedhjen e presidentit.

Analistja Fatime Hajdari e konsideron si një lajm shumë pozitiv zhbllokimin e situatës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare për ekonominë dhe zhvillimin e vendit.

“Lajmi i mirë është zhbllokimi i situatës në Kuvendin e Republikës së Kosovës. E shoh gjithashtu shumë pozitive faktin që janë miratuar marrëveshjet ndërkombëtare, marrë parasysh që Kosova ka nevojë të përfitojë nga këto grante, që janë në vlera monetare, edhe grante të tjera të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë dhe zhvillimin e saj”, tha ajo. 

Sa i përket ngërçit politik për emërimin e presidentit të Kosovës, Fatime Hajdari thekson se zgjidhja e situatës varet kryesisht nga gatishmëria e partive politike për të bërë kompromis dhe për të lënë mënjanë kriteret që lidhen me përkatësinë partiake.

“Pastaj, sa i përket zhvillimit të bisedimeve për dalje nga ngërçi për pozitën e presidentit të Kosovës, mendoj që ngelet në vullnetin e partive politike për të hequr dorë nga propozimet që emrat të vijnë nga subjektet politike ose të kenë librezë partiake. E konsideroj që kjo do të jetë tema kryesore mbi të cilën ata duhet të punojnë të gjithë bashkë. Në momentin që kemi dalje nga ky barikadim, besoj që edhe zgjidhja do të jetë shumë e lehtë”, theksoi Hajdari.  

Edhe profesori Bujar Dugolli e vlerëson si një lajm të mirë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi dekretin e presidentes Osmani, duke i hapur mundësinë Kuvendit të kryejë detyrat e tij dhe të arrijë konsensus për zgjedhjen e presidentit.

“Është shumë lajm i mirë që dekreti i presidentes Osmani është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese si i paligjshëm dhe kjo i hap mundësinë Kuvendit që të kryejë punën e vet, sepse ne në zgjedhjet e kaluara kemi votuar për Kuvendin dhe Kuvendi ekziston dhe ka filluar punën”, tha ai. 

Dugolli nënvizon nevojën që Kuvendi të punojë me intensitet për të arritur marrëveshje për presidentin dhe për çështjet e tjera të rëndësishme.

“Unë mendoj që këta duhet të mbajnë shpesh seanca sepse kanë shumë punë për të bërë. Punët më të rëndësishme që kanë këto ditë janë gjetja e një konsensusi dhe emërimi i një figure për presidentin e vendit. Lajm i mirë është edhe kalimi i marrëveshjeve ndërkombëtare”, deklaroi Dugolli.

Ai ka bërë thirrje që të gjithë anëtarët e Kuvendit të Kosovës të ruajnë një kulturë të mirë komunikimi, duke kryer detyrat e tyre pa sharje, ofendime apo fyerje, pasi kjo ndikojnë edhe tek qytetarët dhe shoqëria. 

Të Ngjashme