Lajme

Analistët: Pa ndryshim të politikave të brendshme, LDK do të vazhdojë rënien

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, menjëherë pas zgjedhjeve shpalli dorëheqjen e tij.

Por, sipas statutit të partisë, kjo dorëheqje duhet të kalojë nëpër disa faza.

Sikur ta dinte vet Abdixhiku, vota e besimit ndaj tij mbeti e fortë, duke i siguruar mbijetesën në krye të partisë.

Përmes një shkrimi në rrjetet sociale, ai tha se “na duhet maturi dhe bashkim për ta ngritur LDK-në. Tani na duhet maturi. Bashkim jo nga nevoja, por nga bindja. Dëgjim jo për formë, por për kuptim. Punë e madhe, e përbashkët, me përulësinë që ka mbajtur gjithmonë LDK-në në këmbë në momentet më të vështira të saj.”

Analistët politikë e konsiderojnë këtë një moment dramatik për LDK-në, i cili nxjerr në pah ndarjet e brendshme dhe sfidat e vazhdueshme për të rikthyer besimin e humbur të anëtarësisë dhe elektoratit.

Mehmeti: LDK ka shënuar një moment të zi në historikun e saj politik

Analisti Faton Mehmeti, në një përgjigje për “Bota sot”, vlerëson se Kuvendi i LDK-së ishte një “teatër politik” me regji të Lumir Abdixhikut dhe klanit të tij.

Image
Faton Mehmeti

Sipas Mehmetit, Lumiri nuk e ka pasur seriozisht dorëheqjen dhe kjo po vazhdon të çojë LDK-në drejt rënies.

Ai e krahasoi Hasanin me “Lulzim Bashën 2.0”, duke theksuar se partia nuk do të ngrihet me udhëheqësin aktual dhe ndryshimi pozitiv nuk pritet nga LDK-ja.

Mehmeti thekson se është e dhimbshme që një parti që ka mbajtur Kosovën për 20 vjet ka arritur në këtë nivel.

“Kuvendi i LDK-së ka qenë një teatër politik me regji të Lumirit dhe të klanit të tij. Është e ditur se e gjithë kjo histori është një teatër, për shkak se Lumiri nuk e ka pasur seriozisht.

Ai po ta kishte pasur seriozisht dorëheqjen, do ta kishte dhënë qysh në fillim, dorëheqjen e parevokueshme dhe kaq. Kështu që thjesht LDK-ja po e vazhdon agoninë në të cilën ndodhet, dhe besoj që me Lumirin vetëm do të shkojë më poshtë LDK-ja, sepse ai nuk është njeriu që e ngrit LDK-në. Unë e quaj Lulzim Basha 2.0, pra është i njëjti derisa një ditë ta largojë vetë anëtarësia.

Unë nuk pres ndryshim pozitiv nga LDK, kështu që asgjë nuk është befasuese. Thjesht, LDK ka shënuar një moment të zi në historikun e saj politik dhe është për të ardhur keq që një parti që ka bartur Kosovën për njëzet vite ka rënë në këtë nivele, është për të ardhur keq!” – potencoi Mehmeti.

Hajdaj: Nga LDK pritet që të heqë dorë nga instalimi i një mendësie shumë të gabuar politike disavjeçare

Anëtari i Guxo, Kujtim Hajdaj, thekson se LDK nuk do të rikthejë anëtarësinë dhe elektoratin e humbur derisa të lirohet nga ndikimi i PDK-së.

Image
Kujtim Hajdaj

Ai propozon që LDK ta tregojë pjekurinë dhe institucionalizmin duke mbështetur rizgjedhjen e Vjosa Osmanit si Presidente, duke çliruar partinë nga kapja e PDK-së dhe duke rikthyer besimin e elektoratit në traditën rugoviane.

Shkurt e shqip: Derisa në LDK nuk merren parasysh mesazhet e anëtarësisë dhe elektoratit se duhet hequr dorë nga varësia e politikave të brendshme të PDK-së, apo derisa LDK vazhdon të identifikohet dhe mbetet peng i politikave të PDK-së, s’ka asnjë shans që një ditë të rikthejë anëtarësinë dhe elektoratin e vet të humbur.

Përkundrazi, do ta presë një teposhtëze tjetër edhe më të madhe politike.

Për të mos ndodhur kjo, LDK e ka shansin jetik që këtë ta dëshmojë me rastin e votimit dhe rizgjedhjes së Vjosa Osmani edhe për një mandat tjetër +5 si Presidente e Republikës së Kosovës, dhe kështu të tregojë traditën e institucionalizmit të vet shtetëror.

Ky hap i drejtë dhe të tjerët të LDK-së, do të dobësonin dukshëm radhet e PDK-së, dhe ndërkohë do të përçonin një sinjal të qartë tek elektorati i saj, se LDK po çlirohet nga kapja e PDK-së dhe se po e rikthen besimin e humbur të elektoratit duke iu rikthyer vetvetes, origjinës rugoviane.

Pra, është moment jetik që LDK ta marrë shumë seriozisht këtë mesazh”, thotë ai.

Në fund, ai thekson se LDK duhet të heqë dorë nga praktikat e gabuara politike që e lidhin me PDK-në, për të ndalur rënien e mëtejshme të anëtarësisë dhe elektoratit, pavarësisht nëse zgjedhjet e brendshme të 31 janarit ishin demokratike.

Pra, nga LDK pritet që të heqë dorë nga instalimi i një mendësie shumë të gabuar politike disavjeçare kundër pritjeve të elektoratit të saj, që i kushtuan me disa palë zgjedhje të humbura në Kosovë.

Anipse – nëse mund të thuhet se zgjedhjet e brendshme të 31 janarit ishin demokratike – kjo s’do të shpëtojë LDK-në nga rënia e mëtejshme në anëtarësi dhe elektorat, nëqoftëse nuk merr parasysh heqjen dorë të praktikave të gabuara politike dhe defektin që vet e ka krijuar në të kaluarën në raport me politikat e PDK-së”, përfundon ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme