Kanë mbetur edhe pak më tepër se tre muaj deri tek zgjedhjet e reja parlamentare. Partitë janë treguar të gatshme për këto zgjedhje, ndonëse kanë kërkuar vazhdimisht dorëheqjen e qeverisë aktuale.
Partitë opozitare thuajse në ҫdo seancë kanë kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të dorëzoj mandatin dhe të shkohet në zgjedhje të reja.
Lëvizja Vetëvendosje është në koalicion qeverisës me Listën Guxo, ndërsa nuk janë deklaruar nëse do të vazhdojnë rrugëtimin bashkë edhe për zgjedhjet e reja. PDK dhe LDK nuk kanë përmendur koalicione parazgjedhore, derisa AAK dhe Nisma janë bashkuar në një koalicion parazgjedhor.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, PDK-ja doli si partia e dytë, duke zënë vendin kështu si partia më e madhe opozitare. Kjo parti ishte edhe më e zëshmja drejtë zgjedhjeve të reja.
Por a do të ketë koalicione paszgjedhore në mes të PDK-së dhe ndonjë partie tjetër?
Leon Duhanaj
Lidhur me këtë ҫështje, ka folur për ‘Bota sot’ Leon Duhanaj, tashmë zyrtar i kësaj partie. Ai thotë se kur flasim për koalicionet qeverisëse në Kosovë, qoftë në nivelin lokal apo qendror, vazhdimisht kanë ekzistuar teori të ndryshme, të cilat kanë qenë ekskluzivisht të orientuara në kalkulime politike elektorale.
“Shembull që e vërteton këtë, janë edhe “vijat e kuqe”, të shprehura me pompozitet nga disa subjekte politike, por që në fakt, asnjëherë nuk kanë qenë të sinqerta dhe të vërteta. Vazhdimisht kanë ndodhur shpallje e vijave të kuqe para zgjedhjeve, për t’u fshirë me pastaj pas zgjedhjeve. Pra, sot nuk e kemi asnjë subjekt politik, i cili nuk ka bërë bashkëqeverisje me ndonjë subjekt tjetër në të dyja nivelet”, thekson ai.
Duhanaj thotë se, për sa i përket zgjedhjeve të ardhshme, për PDK-në, prioritet i pare, e tek pastaj të shikohet për koalicione varësisht nga nevoja.
“Në këtë pikë, prioritet ka sigurishtë afërsia programore, pasi që është qenësore për përafrimin programor qeverisës. Kosovës i duhet qeveri e cila ka program të qendrës së djathtë, kur programi ekonomik është i orientuar kah ekonomia e lirë e tregut, e jo siç e kemi tani, një politikë ngulfatëse. Bazuar mbi këto premisa, mendoj që në radhë të parë duhet të shfrytëzohet trendi i rënies së partisë në pushtet, duke u rritur mbështetja për PDK-në e cila ka gjasa realiste të dalë partia e pare”, vlerëson ai.
Duhanaj thotë se, PDK ka kandidatin me të besueshëm për kryeministër dhe si i tillë, do ja dalë me qenë partia e parë.
“Pastaj nëse kërkohet ndonjë koalicion pas zgjedhor, prioritet do të ketë zbatueshmëria e programit qeverisës të Kryeministrit Hamza, ku shansat me të mëdha për bashkëpunim, sigurisht që i kanë partitë opozitare”, vlerëson ai.