Pengesat brutale, të BE-së dhe ndërhyrja e paprecedent dhe alarmante e ndërkombëtarëve kundër planit të Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës mbi lumin Ibër, dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, në të dy anët e qytetit, bëhen me qëllimin ndjellakeq për imponimin e konfliktit të ngrirë, krijimin e mjegullës dhe një mjedisi të pa qartë, si dhe “prodhimin” artificial të një situate kuasi të “tensionuar”, edhe kur ajo nuk është e tillë dhe realiteti flet krejt diçka tjetër.
Kështu ka vlerësuar analisti politik Gani Qarri, i cili shton se, vet fakti që Qeveria e Kosovës, tash e sa kohë, në mënyrë të përditësuar, argumenton pa u lodhur, para faktorit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, me fakte autentike, se lirimi i Urës së Ibrit, për qarkullim të lirë, të njerëzve dhe automjeteve në të dyja anët e qytetit, është në interes të të gjithëve dhe nuk drejtohet kundër askujt, do duhej të mjaftonte që pas 25 vitesh bllokadë të pakuptimtë, kjo çështje të mbështetej dhe t’i jepej përgjigje pozitive, nga të gjithë, veçanërisht nga BE dhe SHBA, pa marrë parasysh veprimet anti-Kosovë të opozitës palaço, të cilën shihet hapur se çdo sukses i Kosovës përballë Serbisë, atë e irriton, madje shumë më tepër se sa do ta besonin qytetarët e thjeshtë të vendit tonë!
“Opozitë e shantazhuar që kurrë nuk ka arritur të krijojë qeveri pa “aminin” e Vuçiqit dhe pjesëmarrjen e dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës “listë serbe” nënkryetar i të cilës ishte kryeterroristi serb Milan Radoiçiq, por atë, Ramush Haradinaj e priste me nderime shtetërore, në zyrat e kryeministrisë! Kështu që nuk është për tu habitur fare, se përderisa të gjithë shqiptarët, përfshi edhe minoritetet, madje edhe vet shumica e minoritetit serb përkrahin hapjen e Urës mbi lumin Ibër, opozita e inkriminuar dhe faktorët e dyshimtë ndërkombëtar, dalin kundër, pikërisht tani, kur jemi vetëm edhe 6 muaj, para zgjedhjeve të reja, megjithëse kjo është, tërësisht çështje e brendshme e cila lidhet drejtpërsëdrejti me sovranitetin e shtetit të pavarur të Kosovës”, thotë ai.
Qarri shprehet se, duke qenë se insistimit të ndërkombëtarëve, për pengimin e Kosovës, që të mos e hap Urën mbi lumin Ibër, dhe tendencave të BE-së, që ta detyrojnë me forcë Kosovën, të futet në diskutime me Serbinë për çështjen e hapjes së Urës, nuk hezitoi tu dalë krah edhe opozita kuislinge, ky akt i rëndë renegat, dëshmon se sa e rëndësishme është për vendin tonë, të votohet nga populli përsëri Albin Kurti për kryeministër të ardhshëm të Kosovës edhe në mandatin vijues.
“Kryeministri Kurti duhet të votohet nga të gjithë ata që ia duan të mirën këtij vendi, edhe për faktin, që Kosova të mos rikthehet edhe njëherë në duart e gangsterëve të cilët mbijetonin duke shitur tokat e Kosovës, dhe kërkonin publikisht nga faktori ndërkombëtar edhe ndarjen e Kosovës, duke paguar me parat e qytetarëve tanë edhe firmat franceze për promovimin e ndarjes së Kosovës në kryeqytetet e vendeve më të fuqishme ndërkombëtare. E gjithë kjo po ndodhë për uljen e rejtingut të Qeverisë Kurti, pas sondazheve të fundit se Kryeministri Kurti do t’i fitojë përsëri me përqindje maksimale zgjedhjet, me shpresën se në zgjedhjet e ardhshme me të cilat tanimë na ndajnë vetëm edhe rreth 6 muaj, Kryeministri Kurti dhe partia e tij të mos e marrin numrin maksimal të votave nga qytetarët e Kosovës”, thekson analisti.
Por, sipas tij, nëse Kosova vërtetë detyrohet ta shtyjë hapjen e Urës, në mënyrë që të mos shkojë deri te konfrontimi me KFOR-in, thotë se, ka besim të plotë se ndërkombëtarëve dhe opozitës së inkriminuar, e cila edhe në këto momente të rëndësishme për hapjen e Urës së Ibrit, përsëri doli kundër Kosovës dhe ka marrë anën e Vuçiqit duke qëndruar në një vijë me Serbinë hegjemoniste e cila shpreh hapur pretendime territoriale ndaj Kosovës, do tu kthehet në bumerang dhe populli i Kosovës do ta votojë edhe më shumë Kryeministrin Kurti dhe partinë e tij!
“Për aq më tepër, pengesat për hapjen e Urës mbi lumin Ibër edhe pas 25 vitesh anarkie kriminale, për interesat e shtetit serb, i cili pa reshtur zhvillon fushatë kriminale kundër Kosovës, do ta shtyjnë popullin e Kosovës, që përfundimisht ta ndryshojë mendimin e mirë që kishte deri më tani edhe për ndërkombëtarët, t’i shoh ata me dyshim, e ndoshta edhe të krijojnë urrejtje, veçanërisht ndaj Lajçakut, Eskobarit e Borellit, por edhe ndaj opozitës së inkriminuar, e cila çuditërisht edhe në këto momente vendimtare, vazhdon të veprojë kundër interesave të Kosovës, duke mbetur shërbëtore besnike e Vuçiqit dhe mbajtur të njëjtën linjë me Serbinë fashiste”.
“Qëndrimet e opozitës dhe faktorit ndërkombëtar për pengimin e hapjes së Urës, veçanërisht nëse Qeveria, për shkaqet e larcekura, detyrohet ta shtyjë hapjen e saj, do ta shtyjnë popullin e Kosovës, që në zgjedhjet e ardhshme ta votojë edhe më shumë Kryeministrin Kurti dhe partinë e tij, edhe për faktin që Kosova të udhëhiqet edhe në mandatin vijues nga duar të sigurta dhe njerëz të pa korruptuar, që garantojnë se nuk do të bëhen pazare me fatin e Kosovës, si në kohën e partive të inkriminuara dhe nuk do të shiten as falen tokat tona, siç vepruan PDK, LDK, AAK duke i falur FYROM-it mbi 2500 hektar dhe Malit të Zi 8300 hektar tjerë tokë të vlershme autoktone të Kosovës, parti të cilat koha do të tregojë, se ndoshta kanë nënshkruar edhe vendosjen e kufijve të Serbisë mbi urën e Mitrovicës tonë, qytetit historik të ish 1300 minatorëve tanë legjendar, që më 1989 statusin e Kosovës e mbrojtën me jetën e tyre dhe grevën e shndërruan në rezistencë gjithë popullore!”, përfundon analisti Gani Qarri.