Lajme

Analisti skeptik: Koalicioni për zgjedhjen e presidentit duket më shumë një iluzion – ja arsyet!

Çështja e zgjedhjes së presidentit në Kuvend duket se mbetet ende e paqartë dhe pa një konsensus të qartë ndërmjet partive politike.

Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka theksuar se ajo që ndodhi gjatë seancës së fundit nuk reflekton qëndrimet reale të partive sa i përket mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje për presidentin.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar se gjatë javës së ardhshme priten takime ndërmjet liderëve të subjekteve politike, ku do të diskutohet më thellësisht kjo çështje, duke lënë të kuptohet se procesi është ende në fazë negociatash dhe nuk duhet të nxitohet në përfundime.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Faton Mehmeti.

Ai thotë se ndërtimi i një koalicioni është i pamundur për momentin, për shkak të dallimeve të thella politike dhe personale mes partive.

Image
Faton Mehmeti

Koalicioni, në këto rrethana, më duket më shumë një iluzion sesa një realitet i afërt. Diferencat mes palëve nuk janë thjesht programore, por thellësisht politike dhe shpesh edhe personale, gjë që e bën jashtëzakonisht të vështirë ndërtimin e një marrëveshjeje të qëndrueshme”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, analisti shton që deri tani partitë kanë nxitur përçarje më shumë sesa bashkëpunim, dhe pa kompromis të sinqertë nga të gjitha palët, mundësia për një koalicion real është shumë e vogël.

Retorika e përdorur deri më tani ka krijuar hendek, jo ura bashkëpunimi. Pa një reflektim serioz dhe pa lëshime konkrete nga të gjitha anët, gjasat për një koalicion mbeten minimale. Në këtë fazë, duket se më shumë po shihen pozicionime për publikun sesa një vullnet real për kompromis”, përfundoi analisti Mehmeti për “Bota sot”.

Kujtojmë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten se për çështjen e presidentit është në kontakt me dy udhëheqësit e partive më të mëdha opozitare dhe ka paralajmëruar takime me ta në javën e ardhshme.

Paralajmërimi për takim vjen pasi Gjykata Kushtetuese, më 25 mars, u dha afat deputetëve që brenda 34 ditësh të zgjedhin presidentin, në të kundërtën vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të parakohshme.

Të Ngjashme