Kuriozitete

Analiza – A po humbasin popullaritetin atletet?

Tregu global i atleteve duket se po hyn në një fazë të re.

Sipas një analize të publikuar nga Bank of America, rritja e vrullshme që karakterizoi këtë sektor në vitet e fundit po ngadalësohet ndjeshëm. Shitjet në sektorin e veshjeve sportive, ku këpucët zënë pjesën më të madhe, kanë rënë ndjeshëm në ritmin e rritjes, nga +13% në vitin 2022 në vetëm +1% deri në vitin 2025.

Kjo tregon se, pas një periudhe të gjatë ekspansioni, tregu po ndryshon dinamikë.

Rritja e madhe që nisi gjatë pandemisë

Sipas analizës, popullariteti i madh i atleteve në vitet e fundit lidhet ngushtë me disa faktorë socialë dhe ekonomikë, veçanërisht me periudhën e pandemisë së Covid-19.

Kështu, atletet nuk mbetën më vetëm këpucë për sport apo kohë të lirë. Ato u kthyen në një zgjedhje të përditshme, të përdorur pothuajse në çdo situatë.

Kompanitë e modës dhe të sportit e shfrytëzuan këtë prirje duke lançuar vazhdimisht modele të reja, shpesh edhe edicion të limituar, për të mbajtur të lartë interesin e konsumatorëve. Paralelisht, në treg u shfaqën edhe modele hibride që kombinonin elemente të atleteve me tipe të tjera këpucësh, si balerinat apo mokasinët.

Kjo strategji u mundësoi markave të arrinin dy objektiva zgjerimin e audiencës së blerësve dhe përforcimin e asaj që shpesh quhet “kultura e komoditetit” në modë.

Megjithatë, ekspertët nuk besojnë se atletet do të zhduken nga moda. Përkundrazi, konsumatorët janë tashmë të mësuar me këtë lloj këpuce dhe është pak e mundshme që të rikthehen masivisht te këpucët më formale dhe më pak komode.

Trendet aktuale të modës duket se e mbështesin këtë ide. Stili athleisure, që kombinon veshjen sportive me atë casual, vazhdon të jetë shumë popullor dhe konfirmon preferencën e konsumatorëve për komoditet.

Një tjetër faktor është edhe shumëllojshmëria e ofertës. Sot atletet ofrohen në një gamë shumë të gjerë stilesh, markash dhe çmimesh, duke e bërë më të lehtë për çdo konsumator të gjejë modelin që i përshtatet.

Megjithatë, sipas të dhënave të kompanisë së kërkimit Circana, atletet përbëjnë tashmë rreth 60% të shitjeve totale të këpucëve. Një peshë kaq e madhe në treg e bën të vështirë që rritja të vazhdojë me ritmet e viteve të fundit.

Të Ngjashme