Histori

Analiza e ADN-së së Hitlerit zbulon çrregullimin seksual nga i cili vuante

Pas shërbimit në Luftën e Parë Botërore dhe talljeve nga shokët e ushtrisë, për Adolf Hitler qarkulluan thashetheme për çrregullime seksuale. Tani, një studim i ri i një ekipi ndërkombëtar shkencëtarësh dhe historianësh pretendon se hedh dritë mbi atë se çfarë mund të ketë qenë gabim te lideri nazist.

Pas analizës së një fragmenti të ADN-së së tij, studiuesit thonë se ka një probabilitet të lartë që Hitleri të ketë vuajtur nga sindroma e Kallmannit, një çrregullim gjenetik që pengon nisjen ose përfundimin e plotë të pubertetit.

Në të njëjtën kohë, ata hodhën poshtë një tjetër mit: diktatori nuk rezultoi të ketë prejardhje hebreje.

Mes zbulimeve kryesore është edhe mungesa e një versioni funksional të gjeneve PROK2 të lidhur me zhvillimin e organeve seksuale. Mungesa e këtij gjeni lidhet me nivele më të ulëta të testosteronit dhe mund të shoqërohet me mikropenis, një gjendje ku penisi ka vetëm pak centimetra gjatësi.

Prof. Turi King, gjenetistja udhëheqëse e studimit, e njohur edhe për identifikimin e mbetjeve të Rikardit III, tha për Sky News: “Nëse dikur do më thoshin se do të flisja për organet gjenitale të Hitlerit, nuk do ta besoja.” Ajo rrëfeu se ka hezituar para se të vendoste për analizën e ADN-së, por u bind se nuk kishte arsye ta trajtonin Hitlerin ndryshe nga çdo gjurmë arkeologjike tjetër: “Pse Hitleri të jetë ndryshe? Pse të mos e bëjmë edhe të tijën? Do të ishte sikur ta vendosje në piedestal nëse do ta shmangnim.”

ADN-ja e studiuar rrjedh nga një copë divani të njollosur me gjak nga bunkeri i Hitlerit. Kur forcat sovjetike fituan kontrollin pas rënies së regjimit nazist, koloneli i komunikimit i gjeneralit Dwight D. Eisenhower, Roswell P. Rosengren, e shkëputi një fragment dhe e mori me vete. Pas dekadash në një kasafortë, ai fragment u shit më pas në Muzeun e Historisë së Gettysburgut.

Studimi gjeti gjithashtu se Hitleri ka një pikësim të lartë poligenetik për disa kushte, një matës i nxjerrë duke krahasuar ADN-në e individit me të dhënat e popullsisë, për autizëm, skizofreni dhe çrregullime bipolare. Këto rezultate do të paraqiten në një dokumentar në dy pjesë, “Hitler’s DNA: Blueprint Of A Dictator”, që pritet të transmetohet në Channel 4 nga 15 nëntori.

Megjithatë, prof. King paralajmëroi të mos teprojmë me interpretimet: “Gjenetika është vetëm një pjesë e portretit të personalitetit të dikujt. Babai i Hitlerit ishte i alkoolizuar dhe dhunues; ai humbi disa vëllezër e motra; nëna e tij vdiq dhe ai kaloi shumë ngjarje të rënda. Koha dhe shoqëria ku jetonte gjithashtu ndikojnë.”

Edhe ekspertët e tjerë ishin të kujdesshëm. Prof. Sir Simon Baron-Cohen, specialist për autizmin, vuri në dukje se diagnozat nuk mund ta shpjegojnë plotësisht sjelljen: “Autizmi është një ndryshim dhe një kufizim në komunikim social, por shumica e njerëzve autikë nuk bëjnë gjëra të këqija. Nuk duhet ta humbasim këtë perspektivë.”

Prof. Thomas Weber nga Universiteti i Aberdeen doli gjithashtu kundër nxjerrjes së përfundimeve historike vetëm nga ADN-ja.

/tiranapost

Të Ngjashme