Sarah Mullally ka hyrë në histori duke u bërë gruaja e parë që merr drejtimin e Komunionit Anglikan, pasi u emërua Kryepeshkopja e Canterbury-t. Ky komunitet fetar përfshin rreth 85 milionë besimtarë në mbarë botën.
63-vjeçarja, e cila më herët ka ushtruar profesionin e infermieres dhe mamisë, mori zyrtarisht detyrën më 25 mars gjatë një ceremonie solemne në Canterbury Cathedral, në juglindje të Anglisë. Në këtë event morën pjesë rreth 2 mijë të ftuar, mes tyre edhe Prince William dhe bashkëshortja e tij Catherine Princess of Wales.
Rituali nisi me një moment simbolik: Mullally trokiti tri herë në portën perëndimore të katedrales me shkopin e saj baritor, një traditë që shënon hyrjen në këtë detyrë të lartë. E veshur me rroba në nuanca të arta, ajo u prit nga nxënës të zonës, të cilëve u tha se misioni i saj është të shërbejë dhe të përhapë dashurinë e Krishtit me përkushtim të plotë.
Një nga momentet më të rëndësishme të ceremonisë ishte vendosja e saj në dy frone të ndryshme, që përfaqësojnë rolin e dyfishtë që do të mbajë: si peshkope e dioqezës së Canterbury-t dhe si udhëheqëse shpirtërore e Kishës Anglikane në nivel global.
Ajo merr këtë detyrë në një kohë sfiduese për Church of England, pas largimit nga posti të paraardhësit të saj Justin Welby, i cili dha dorëheqjen pas kritikave për trajtimin e një rasti abuzimi që daton nga vitet ’70.
/tiranapost
