Një sulm paniku vjen papritur dhe të godet në qelizë. Trupi përpiqet ta luftojë por pa sukses. Sulmi i panikut mund të ndodhë edhe kur je në gjumë, pa asnjë arsye në dukje të vlefshme.
Ndiheni të pashpresë, të humbur dhe mendja ju duket sikur do të ikë. Më poshtë do të zbuloni shenjat që tregojnë se do të kaploheni nga një sulm paniku.
Shtrëngim në kraharor
Ndjesia e adrenalinës shton rrahjet e zemrës. Në raste të tilla, përjetohet një shtrëngim dhe dhimbje në kraharor dhe vështirësi të mëdha në frymëmarrje.
Ndjesia e mbytjes
Fyti ngushtohet dhe përtypja duket e pamundur. Në disa raste, sulmi i panikut shoqërohet me të përziera dhe të vjella. Këto ndjesi e bëjnë frymëmarrjen të vështirë.
Frika e fortë
Në këtë rast nuk po flasim për frikërat e përgjithshme që na vështirësojnë ditën, që ndonëse janë të pabazuara nuk na bëjnë të ndihemi sikur jemi buzë greminës. Në rastet e një sulmi paniku, përjetoni ndjesinë që diçka vërtetë e tmerrshme do të të ndodhë ose do të vdesësh. Pavarësisht se në rrethana normale, e di që kjo nuk është e vërtetë, terrori që ndien në rastet e një sulmi paniku, të pushton në mënyrë të frikshme.
Marramendje
Në rastet e një sulmi paniku, bota të vjen rrotull, ose të duket sikur po lundron në hapësirë pa kurrfarë kontakti me ambientin që të rrethon.
Djersitje dhe ethe
Kjo është një nga shenjat më klasike të ankthit dhe të sulmit të panikut. Mund të përjetoni djersitje në pëllëmbët e duarve por edhe në krahë, sqetulla e zona të tjera. Për më tepër, mund të keni edhe ethe.
Dridhje dhe therje
Në rastet e një sulmi të tillë të dridhet i gjithë trupi. Gjaku rrugëton drejt zemrës dhe muskujve ndërsa përjetoni ndjesinë e therjes ose mpirjes në gishtat e duarve dhe të këmbëve.
Kohëzgjatja e një sulmi paniku
Një sulm paniku godet menjëherë dhe arrin kulmin 10 minuta pas shfaqjes së simptomës së parë. Rrallëherë ndodh që sulme të tilla të zgjasin më shumë se një orë. Në shumë raste ato zgjasin 20-30 minuta, por kohëzgjatja nuk është standarde.
Sulm në zemër
Simptomat janë të ngjashme: Dhimbje kraharori, vështirësi në frymëmarrje, marramendje, djersitje dhe ndjesia e të mos paturit gjërat nën kontroll. Nëse është hera e parë që përjetoni diçka të tillë, dhe nëse familjarët tuaj kanë pasur probleme me zemrën, ju rekomandojmë të shkoni menjëherë në urgjencë.
Koha për mjekun
Nëse keni përjetuar një ose dy sulme të tilla, ndoshta nuk keni nevojë të shqetësoheni. Por nëse sulme të tilla ju ndodhin shpesh, atëherë duhet të takoheni me mjekun për të kuptuar shkaktarët e sulmeve dhe mënyrat e menaxhimit të tyre. Vetëm mjeku mundet të dallojë nëse bëhet fjalë për një sulm paniku apo probleme më të thella me zemrën.
Shkaktarët
Sulmi i panikut shpesh ka lidhje me stresin ose me një problem fizik. Një prej tyre është tiroidja e cila prodhon më shumë hormone. Mund të bëhet fjalë edhe për nivele të ulëta të sheqerit në gjak, nivele të larta të kafeinës ose përdorimi i amfitaminës, kokainës, drogave të tjera ose alkolit.
Çrregullimet e panikut
Nëse jeni të shëndetshëm por sërish vuani nga ky problem, atëherë mund të jeni duke u përballur me një çrregullim paniku. Ky çrregullim kërkon ndryshime të rutinës suaj.
Zgjidhja
Hapi i parë është që të kuptoni se çfarë po ndodh. Nëse bëheni të vetëdijshëm që sulmi nuk do të shkaktojë probleme, do të zgjasë pak minuta dhe u ndodh edhe të tjerëve, do të jeni më pak të shqetësuar. Terapitë dhe medikamentet në disa raste mund të ofrojnë shpëtim.
Marrëdhëniet njerëzore
Ankthi lulëzon nga vetmia. Takohuni, flisni dhe rrini me miq dhe të afërm. Nëse nuk keni të tillë, përpiquni të bëheni pjesë e klubeve të ndryshme, aktiviteteve ku mund të takoni njerëz me interesa të përbashkëta me të cilët mund të krijoni marrëdhënie të mira shoqërore.
Gjumi
Përpiquni të flini 7-9 orë në ditë. Mbajeni dhomën e gjumit të freskët, në errësirë dhe larg zhurmave. Mos shikoni televizor, kompjuter apo telefon përpara se të flini gjumë. Krijoni një rutinë gjumi gjatë gjithë javës, edhe në fundjavë.
Aktiviteti fizik
Kryeni të paktën 30 minuta aktivitet fizik në ditë. Do të ndiheni më pak të stresuar dhe gjasat e një sulmi paniku do të përgjysmohen. Ecni, vraponi, notoni, kërceni, alternativat janë të panumërta. Shmangni duhanin, kafeinën dhe alkolin. Këto janë shkaktarë të një sulmi paniku, por edhe mund ta përkeqësojnë atë. Medikamente si ato kundër alergjive, të ftohtit ose ato dietike kanë një efekt të ngjashëm. Konsultohuni me mjekun nëse keni nevojë të ndryshoni diçka në rutinën tuaj.
Qetësimi
Meditimi dhe vetëkontrollo ndihmojnë në qetësimin tuaj. Merrni frymë thellë dhe në formë të kontrolluar që të qetësoheni që në fillim të shfaqjes së simptomave të sulmit./AgroWeb.org