Antibiotikët mund të ndikojnë për një kohë shumë më të gjatë sesa mendohej më parë në mikrobiomën e zorrëve, komunitetin e baktereve që jetojnë në sistemin tretës. Sipas një studimi të ri, edhe një trajtim i vetëm me disa lloje antibiotikësh mund të lërë gjurmë që zgjasin nga katër deri në tetë vjet.
Studimi, i publikuar në revistën Nature Medicine, konfirmon se ndonëse antibiotikët janë jetikë për trajtimin e infeksioneve serioze, përdorimi i tyre lidhet gjithashtu me rreziqe afatgjata për shëndetin. Hulumtime të mëparshme i kanë lidhur me rritjen e rrezikut për diabet të tipit 2 dhe infeksione gastrointestinale. Shkencëtarët besojnë se ndryshimet në mikrobiomë luajnë rol në këto efekte.
Ekipi ndërkombëtar, i udhëhequr nga studiues suedezë, analizoi të dhënat e 14,979 të rriturve duke krahasuar përdorimin e antibiotikëve me përbërjen e mikrobiomës së tyre. Rezultatet treguan lidhje të forta mes historisë së përdorimit të antibiotikëve dhe gjendjes aktuale të mikrobiomës.
Studiuesi kryesor, dr. Gabriel Baldanzi, tha se edhe përdorimi i vetëm i disa antibiotikëve mund të ketë efekte të qëndrueshme. Ai theksoi se njerëzit duhet të vazhdojnë të ndjekin këshillat e mjekëve, por studimi ndihmon të kuptohen më mirë pasojat afatgjata.
Rezultatet ndryshonin sipas llojit të antibiotikut. Efektet më të forta u panë te klindamicina, fluorokinolonet dhe flukloksacilina. Ndërsa penicilina V, më e përdorura, kishte ndikim më të vogël dhe afatshkurtër.
Studimi u bë i mundur falë regjistrave të detajuar të barnave në Suedi dhe të dhënave nga biobankat universitare. Megjithatë, studiuesit theksojnë se kërkime të mëtejshme janë të nevojshme, pasi të dhënat mbulojnë vetëm tetë vitet e fundit dhe mikrobioma u analizua vetëm një herë për secilin pjesëmarrës.
Sipas profesoreshës Tove Fall, këto gjetje mund të ndihmojnë në përzgjedhjen më të kujdesshme të antibiotikëve në të ardhmen, duke preferuar ata që ndikojnë më pak në mikrobiomën e zorrëve. / Cbs19News – Syri.net
