Lajme

Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Glauk Konjufcës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 26 shkurt 2024 kishte liruar ish-kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, i akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës gjatë një mbledhjeje në gusht 2016. Apeli ka urdhëruar rigjykimin e çështjes.

Në vendimin e shkallës së parë, Themelorja kishte argumentuar se nuk ishte provuar vepra “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe kishte refuzuar akuzën për “Pengimin e personit zyrtar” për shkak të parashkrimit. Prokuroria kishte ankuar këtë vendim, duke kërkuar shpalljen fajtor të të akuzuarit.

Në vendimin e 27 shkurtit 2025, Apeli vlerësoi se aktgjykimi i Themelores përmbante shkelje esenciale të procedurës penale dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. Kolegji penal theksoi se gjykata e shkallës së parë nuk kishte vlerësuar drejt provat, përfshirë deklaratën e vetë Konjufcës në Prokurori, ku ai kishte pranuar përdorimin e gazit, si dhe procesverbalin e mbledhjes që konfirmonte incidentin.

Apeli gjithashtu theksoi se mungesa e arsyetimit të plotë për besimin ndaj provave dhe vlerësimi i tyre në mënyrë të lidhur, detyrimisht kushtëzon anulimin e vendimit. Sipas këtij vendimi, Themelorja duhet të rigjykojë çështjen duke administruar dhe vlerësuar provat në mënyrë meritore.

Pjesa e vendimit për parashkrimin e akuzës për pengim mbetet e pandryshuar, pasi prokuroria nuk e kishte ankimuar atë.

Të Ngjashme