Pjetër Shala ka kërkuar nga Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë anulimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, me të cilin u aprovua urdhri prej 208 mijë eurosh dëmshpërblim ndaj tetë viktimave.
Në kërkesën e parashtruar përmes mbrojtjes më 29 prill 2026 e cila u bë publike më 18 maj, Shala ka kërkuar që vendimi i Apelit të anulohet dhe të kthehet çështja para një paneli tjetër të gjyqtarëve.
Fillimisht, në kërkesën e vet, mbrojtja thotë se Apeli gjatë marrjes së vendimit e interpretoi gabimisht ligjin, me arsyetimin se ka zbatuar të njëjtin standard që ka pasur për shqyrtimin e apelimeve të dënimeve penale me atë për dëmshpërblim.
Sipas kërkesës, kjo ka cenuar të drejtën e Shalës për qasje efektive në gjykatë.
Veç kësaj, thuhet se paneli i gjyqtarëve kanë bërë shkelje të procedurës duke cenuar të drejtën e Shalës për gjykim të drejtë. Kjo është thënë, duke argumentuar se procedurat për dëmshpërblim janë zhvilluar përpara se vendimi me burgim ndaj tij të marrë formën e prerë në Apel.
Mbrojtja në kërkesë thotë se kjo gjë ka shkelur të drejtën e Shalës për t’u prezumuar i pafajshëm derisa të provohet fajësia e tij.
Po ashtu, thuhet se sipas mbrojtjes së Shalës, gjatë marrjes së vendimit është kryer shkelje substanciale e procedurës pasi që nuk janë kërkuar të dhëna mbi shpenzimet mjekësore që ka pasur një viktimë (viktima W04733) gjatë përcaktimit për dëmin material që kanë pësuar viktimat e tërthorta.
Pra, mbrojtja pretendon se Paneli Gjykues gjatë përcaktimit të dëmshpërblimit ndaj viktimave, është mbështetur kryesisht në deklarata të viktimave dhe familjarëve të tyre. Sipas saj, Gjykata thjesht “supozoi” ekzistencën e kostove mjekësore pa prova të mjaftueshme.
Po ashtu, mbrojtja argumenton se Gjykata nuk ka sqaruar cilat probleme shëndetësore të W04733 lidhen drejtpërdrejt me ngjarjet në Fabrikën e Metalit në Kukës dhe në çfarë mase ato ndikuan në gjendjen e tij shëndetësore apo aftësinë për të punuar.
Në përfundim, mbrojtja kërkon që Gjykata Supreme ta anulojë vendimin e Apelit për dëmshpërblimin dhe ta kthejë çështjen për rishqyrtim nga një panel tjetër, ose të marrë çdo masë tjetër që e konsideron të nevojshme për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe drejtësisë së procedurës.
Vendimi për dëmshpërblim ndaj Pjetër Shalës ishte marrë më 29 nëntor 2024 me ç’rast u urdhërua që të paguajë një shumë prej 208 mijë eurosh. Ky vendim ishte konfirmuar nga Apeli më 29 janar 2026.
