Gjykata e Apelit vërtetoi dënimin me burgim të përjetshëm të Jeton Vllasaliut dhe Nexhat Vllasaliut për vrasjen e rëndë të biznesmenit Bedri Rexhepi.
Kjo gjykatë hodhi poshtë ankesat e mbrojtjes si të pabazuara.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se dënimi me burgim të përjetshëm është i drejtë dhe i domosdoshëm, duke theksuar se me këtë masë arrihet qëllimi i ndëshkimit, përfshirë parandalimin e veprave penale dhe forcimin e respektimit të ligjit.
Apeli la në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 28 majit 2025, me të cilin dy të akuzuarit ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Dëmtim i varreve apo kufomave”, të kryera në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Në aktakuzë thuhet se prej 9 janarit 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.
Ata po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”.
