Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka dënuar Caslav Joliq me 5 vite e 6 muaj burgim për krime lufte.
Kundër vendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, vendimit mbi sanksionin penal, ashtu që i akuzuari të shpallet fajtor edhe për pikën b) dhe c) të aktakuzës ose ta anuloj vendimin e Themelores dhe çështjen ta kthej në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ankesë kishte parashtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Caslav Joliq, avokati Miodrag Brkljac, për arsyet e njëjtat, duke propozuar Apelit, që ta ndryshojë vendimin e Themelores dhe të akuzuarin ta lirojë nga aktakuza, ose ta anulojë aktgjykimin dhe çështja të kthehet në rigjykim apo ta ndryshojë vendimin rreth dënimit duke i shqiptuar dënim më të butë.
Sipas vendimit të Apelit, pretendimet e Prokurorisë për një vendim të paqartë nuk qëndrojnë, pasi që shkalla e parë me të drejtë ka vepruar, ku përveç aktgjykimit dënues në kuptim të nenit 364 të KPP-së, nuk bëhet fjalë për marrjen e aktgjykimit lirues por për mosprovueshmërinë se i akuzuari ka kryer veprimet inkriminuese të përshkruara në pikat b) dhe c) me të cilat e ngarkon akuza të akuzuarin.
Ndërsa, sa i përket pretendimeve lidhur me bazat ligjore në të cilat është mbështetur gjykata e shkallës së parë, Apeli ka vlerësuar se ka qenë vetëm një gabim teknik ku shkalla e parë i është referuar se ka marrë aktgjykim lirues, por që nga dispozitat ligjore dhe në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar rezulton se gjykata e shkallës së parë nuk e ka arsyetuar të ketë liruar të akuzuarin nga akuza por për mos vërtetim të veprimeve të përshkruara si në pikën b) dhe c) të aktakuzës.
Sa i përket pretendimeve të mbrojtjes, kolegji i Apelit ka vlerësuar se nuk qëndrojnë pasi që shkalla e parë ka dhënë arsyet e duhura mbi të gjitha faktet vendimtare të çështjes penale juridike, duke vepruar sipas dispozitave ligjore.
Andaj, Gjykata e Apelit, ka vlerësuar se në këtë çështje penale nuk ka as shkelje të ligjit penal, siç pretendon mbrojtja, pasi që në gjendjen faktike të provuar nga provat e administruara, në veprimet e të akuzuarit qëndrojnë elementet objektive dhe subjektive të veprës penale për të cilën është shpallur fajtor i akuzuari.
Po ashtu, Apeli ka gjetur të pabazuar pretendimin e mbrojtjes se dënimi i shqiptuar i të akuzuarit është shumë i rëndë, duke vlerësuar dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë ëshë i drejtë dhe i ligjshëm.
Ndryshe, më 10 qershor 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar të pandehurin Joliq, me 8 vite burgim për krime lufte në qytetin e Istogut. Por, Gjykata e Apelit më 4 nëntor 2024, rastin ndaj tij e ka kthyer në rigjykim.
Në rigjykim, Themelorja më 23 maj 2025 e dënoi Joliqin me 5 vjet e 6 muaj burgim.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 18 nëntor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Çaslav Joliq me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovës prej muajit janar 1998 deri më 21 qershor 1999, në territorin e Komunës së Istogut në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.
Sipas aktakuzës, në muajin maj të vitit 1998 në lagjen Bllagaq të fshatit Gurakoc ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Zef Malsia po i shoqëronte për tek vendi i ngjarjes dy gazetarë ndërkombëtarë, njëri anglez e tjetri belg së bashku me një përkthyese shqiptare dhe me të arritur tek vendi i ngjarjes, nga shtëpia e familjes së Rosa Pejcinovic dalin 5 persona të veshur me uniforma të policisë serbe, Radule (Dule) Pejqinoviq, Çaslav Joliq, Darko Pejqinoviq, Milosh Jolic dhe një person tjetër i paidentifikuar, të cilët të dëmtuarin e kishin akuzuar se pse i kishte sjellë gazetarët e huaj tek vendi i ngjarjes, dhe për këtë arsye e sulmojnë fizikisht.
Aktakuza thotë se dy prej policëve të uniformuar e kishin kapur për krahë dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grusht dhe shqelma për një periudhë kohore rreth 20 minuta derisa në një moment i pandehuri i identifikuar me nofkën “Dulle”, e kishte goditur me boks në kokë, me ç’rast i dëmtuari kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, të cilat i kishte mjekuar në kushte shtëpiake, pastaj gazetarët e kishin larguar nga vendi i ngjarjes dhe ashtu të gjakosur e kishin kthyer në shtëpi në Gurakoc, kurse pas disa javësh si rezultat i luftës i dëmtuari ishte larguar nga Kosova.
Tutje sipas aktit akuzues, rreth datës 15 mars 1998 derisa i dëmtuari Naim Ferati po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga Shemsi Kabashi pronari i restorantit, Mujë Hajzeraj, Refik Hajzeraj dhe Nue Pepaj, kishin shkuar 5 policë serbë dhe e kishin kapur për qafe duke e tërhequr zvarrë e kishin qitur jashtë lokali dhe që të pestit e sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.
Prej tyre, aktakua thotë se polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur disa herë me tytë të automatikut në kokë, duke ia mbuluar tërë trupin me gjak pastaj duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në stacion policor në Gurakoc, në ato momente ngjarjen e kishte parë i dëmtuari Nexhmedin Curri pasi që edhe ai ishte rrahur nga i njëjti grup i policëve, me të dërguar në stacion të dëmtuarin Naim Ferati e paralajmërojnë se deri në ora 17:00 do të ekzekutohej dhe vazhdimisht ishte nën shoqërinë e policëve Halil Kovaqeviq dhe Popoviq.
Gjithnjë sipas aktakuzës, aty pastaj kishte ardhur një epror polic i quajtur Gruica Veloviq dhe e kishte liruar të dëmtuarin nga stacioni i policisë, pastaj me ndihmën e disa fqinjëve të tij kishte arritur që të shkojë në spitalin e Istogut, ku e kishte mjekuar doktori Xhevat Avdijaj, kurse më 28 mars 1999 ishte urdhëruar nga policia serbe që ta lëshojë shtëpinë sikurse çdo banor tjetër i fshatit dhe ishte nisur për në Shqipëri, ku gjatë rrugës prapë ishin maltretuar dhe plaçkitur nga ana e forcave serbe, ndërsa si pasojë e luftës ka pësuar dëme material në vlerë prej 50 mijë marka gjermane.
Më pas, në aktakuzë thuhet se rreth 15 marsit 1998, i dëmtuari Nexhmedin Curri ishte nisur nga Gurakoci për në fshatin Vrellë të Komunës së Istogut për të marë familjen e tij, ku kishte arritur në pikën e kontrollit policor në fshatit Gurakoc, ishte ndalaur nga ana e policisë dhe dy prej pjestarëve të policisë, njëri i njohur me nofkën “Llaza” dhe tjetri i paidentifikuar kishin hyrë me dhunë në veturë dhe kishin kërkuar nga i dëmtuari që t’i dërgonte deri tek shtëpia e personit me pseudonimin “Mala”.
Pastaj, aktakuza thotë se meqenëse i dëmtuari iu kishte thënë se nuk ia dinte shtëpinë atij personi, të njëjtit kishin kërkuar nga i dëmtuari që t’i kthejë në qendër të fshatit Gurakoc, saktësisht tek dyqani ku kishte punuar personi me emrin “Sllavisha”, pastaj me të arritur para shitores e cila ishte në afërsi të pikës së kontrollit të policisë personi me emrin Rade Pituliq iu ishte drejtuar të pandehurve me fjalët “Se si po shëtiteni ju me iredintistin”, kurse personi me pseudonimin “Joliqi” e kishte nxjerrë nga vetura të dëmtuarin duke e goditur me kondak të armës automatike dhe nga aty kishte tërhequr zvarrë duke e dërguar në një lokal aty afër dhe kishte vazhduar duke e rrahur derisa kishin ndërhyrë disa policë të tjerë dhe e kishin nxjerrë të dëmtuarin nga lokali në gjendje të përgjakur, me dhëmbë të thyer.
Ndërsa, i pandehuri Jolic thuhet se i kishte thënë të dëmtuarit “Nuk je në Kosovë por je në Serbi, këtu është Serbia e madhe dhe se këtu nuk flet Ibrahim Rugova, por Millosheviqi”, kurse i dëmtuari ashtu në gjendje të përgjakur e merr veturën dhe largohet nga fshati Gurakoc dhe gjatë largimit kishte parë se si policët serbë e kishin rrahur të dëmtuarin Naim Ferati, ndërsa kishte vazhduar rrugën për në shtëpinë e tij dhe pastaj ishte larguar për në Mal të Zi prej ku ishte kthyer në Kosovë pas përfundimit të luftës.
Me ketë, Calsav Jolic akuzohet se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e ndëshkueshme sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohën e kryerjen së veprës penale.
