Apple do të prezantojë sot gjeneratën më të re të telefonave iPhone, ku pritet të përfshijë për herë të parë edhe një model të palosshëm (qe palohet).
Ngjarja do të drejtohet nga drejtori i ri ekzekutiv, John Ternus, i cili mori drejtimin e kompanisë nga Tim Cook, më 1 shtator.
Disa nga rivalët më të mëdhenj të Apple, përfshirë Samsungun, Motorolan dhe Googlen, tashmë kanë nxjerrë telefona të palosshëm. Megjithatë, Apple zakonisht nuk nxiton me përdorimin e teknologjive të reja.
“Lansimi i modelit të palosshëm është plotësisht në përputhje me strategjinë e Apple. Kompania pret derisa produkti t’i kapërcejë problemet fillestare dhe tregu të tregojë shenja qëndrueshmërie. Më pas hyn dhe e formëson kategorinë”, tha analisti i Forrester, Dipanjan Chatterjee, raporton AP.
Modeli iPhone 18 pritet të kushtojë më shumë se gjeneratat e mëparshme. Rritja e mundshme e çmimit lidhet pjesërisht me mungesën globale të çipave të memories.
Llojet e iPhone 17 variojnë nga 799 deri në 1.999 dollarë.
Apple gjatë këtij viti prezantoi edhe përparime në fushën e inteligjencës artificiale. Ato përfshijnë përmirësime të asistentit Siri, me theks te privatësia dhe përdorimi i përditshëm.
Kompania po përpiqet të zvogëlojë epërsinë që rivalët kanë krijuar në inteligjencën artificiale.
Seria iPhone 17, e prezantuar vitin e kaluar, ka shënuar shitje të mira. Ajo përfshiu edhe një model të ri shumë të hollë, të quajtur “Air”, emërtim që Apple e përdor edhe për modelet më elegante të iPad dhe Mac.
