Ish-deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka kritikuar situatën politike në Kosovë, duke e cilësuar atë si pasojë të “jo-seriozitetit politik dhe kushtetues”.
Në një reagim publik, Gashi tha se gjendja e krijuar vjen si rezultat i mungesës së pjekurisë politike, e shoqëruar me inate dhe emocione negative personale, si dhe me mungesë të ndjeshmërisë institucionale.
Sipas tij, shqetësuese është edhe mungesa e përgjegjësisë për të kuptuar momentumin politik ndërkombëtar në të cilin ndodhet bota dhe Kosova.
Gashi theksoi se nëse deri në mesnatë nuk zgjidhet Presidenti apo Presidentja e vendit, rruga e vetme që mbetet janë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Ai rikujtoi se Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë disa raste kur vendi shkon në zgjedhje për shkak të moszgjedhjes së presidentit. Sipas tij, presidenti duhet të zgjidhet jo më herët se 60 ditë dhe jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit, ndërsa moszgjedhja e tij e çon vendin në zgjedhje brenda 45 ditëve.
Po ashtu, ai përmendi edhe rastin e përfundimit të parakohshëm të mandatit, kur brenda 60 ditëve duhet të zgjidhet presidenti i ri, përndryshe vendi shkon sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ish-deputeti i LDK-së kritikoi edhe idetë për amendamente kushtetuese të propozuara së fundmi, duke i quajtur ato manovra politike për simpati momentale.
Sipas Gashit, ndryshimet kushtetuese duhet të kalojnë fillimisht në Gjykata Kushtetuese e Kosovës për vlerësim dhe më pas në Kuvend me shumicë të dyfishtë prej dy të tretash, përfshirë edhe votat e komuniteteve joshumicë, një proces që sipas tij mund të zgjasë me muaj dhe të rrezikojë stabilitetin institucional.
Postimi i plotë:
Jo-serioziteti politik dhe kushtetues në Kosovë
Gjendja e krijuar është pasojë e mungesës së pjekurisë politike. Ajo po shoqërohet me inate, emocione negative personale dhe mungesë të ndjeshmërisë institucionale. Edhe më shqetësuese është mungesa e përgjegjësisë për ta kuptuar momentumin politik ndërkombëtar në të cilin ndodhet bota, por edhe Kosova.
Nëse deri në mesnatë nuk zgjidhet Presidenti/Presidentja, rruga e vetme që mbetet janë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Kushtetuta është e qartë dhe parashikon disa momente kur vendi shkon në zgjedhje për shkak të moszgjedhjes së Presidentit/es:
1. Afati kushtetues normal
Presidenti/ja duhet të zgjidhet jo më herët se 60 ditë dhe jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit. Mosveprimi, pra moszgjedhja e Presidentit/es, e çon vendin direkt në zgjedhje brenda 45 ditëve.
2. Përfundimi i parakohshëm i mandatit
Nëse mandati përfundon para kohe, brenda 60 ditëve duhet të zgjidhet Presidenti/ja e re. Në rast dështimi, vendi përsëri shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
3. Në rast ndërprerjeje të mandatit dhe mungesë të Kuvendit funksional
Në rast vdekjeje, shkarkimi, dorëheqjeje apo arsye tjetër dhe kur vendi ndodhet në proces zgjedhor deri në 6 muaj, detyrën e Presidentit/es e ushtron Kryetari/ja e Kuvendit, deri në konstituimin e Kuvendit të ri.
Idetë për amendamente kushtetuese, të hedhura sot pas pesë vitesh në pushtet, nuk janë gjë tjetër veçse manovra politike për simpati momentale. Një lojë e lodhur dhe aspak produktive.
Sepse:
1. Amendamentet duhet të kalojnë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë dhe më pas në Kuvend me shumicë të dyfishtë 2/3, përfshirë edhe votat e komuniteteve joshumicë. Ky është një proces që zgjat muaj të tërë dhe rrezikon stabilitetin institucional.
2. Është praktikë e keqe dhe në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias, sipas të cilave rregullat kushtetuese apo zgjedhore nuk duhet të ndryshohen të paktën 6 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve.
Prandaj zgjedhja është e qartë:
Ose zgjidheni Presidentin deri në mesnatë, ose nesër shpallen zgjedhjet që duhet të mbahen brenda 45 ditëve.
Bllokada institucionale dhe krizat artificiale janë të dëmshme për interesin nacional të shqiptarëve dhe për interesin shtetëror të Kosovës.
