Ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë dhe skemat sociale do të duhej të bëhej më 30 shtator, porse deri më tani nuk është bërë një gjë e tillë. Lidhur me këtë pati shumë reagime nga opozita, të cilët kritikuan Qeverinë Kurti për keq menaxhim dhe mosllogaridhënie.
Në kuadër të sektorit publik, për shkak të vonesës, pa paga kanë mbetur edhe profesionistët shëndetësorë. Për këtë çështje u pyet ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një prononcim për KosovaPress, për çka tha se nuk e ka idenë për një vonesë të tillë.
Sipas tij, nuk ka gjasa që të ketë vonesa të gjata për paga, për çka shtoi se nuk iu është prezantuar nga problematikë e tillë.
Vitia: As unë nuk e kam marrë pagën, nuk ia kam idenë për këtë vonesë
“Këtu nuk kam qëndrim, duhet të jetë një vonesë që nuk e kam as unë idenë pse, por besoj këtu pyetjen më së miri është të bëhet te organet gjegjëse, institucionet gjegjëse. Nuk ma merr mendja se do të ketë vonesa. Edhe unë nuk e kam marrë pagën. Atë çka e di se nuk më është prezantuar si problematikë se nuk do të merret”, theksoi Vitia.
Mos ekzekutimi i pagave u bë si shkak i skadimit të mandatit të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, ku pa nënshkrimin e këtij të fundit, nuk mund të bëhet asnjë dalje e parasë publike nga llogaritë e shtetit.
Për këtë çështje, përmes një reagimi në rrjetin social ish-kryeministri Avdullah Hoti e ka fajësuar ministrin e Financave, Hekuran Murati. Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ministri Murati është sjellë me neglizhencë ndaj detyrave ligjore të tij.
Po ashtu edhe deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu e ka quajtur skandaloz këtë vonesë të pagave. Haxhiu ka bërë thirrje për ndëshkim dhe protesta kolektive.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, s’ka dalë akoma me një sqarim lidhur me këtë çështje e as Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP), i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.