Lajme

Arben Vitia njofton hapjen e konkursit për 313 specializantë në shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për hapjen e konkursit për shkollim specialistik për gjithsej 313 vende.

Sipas Vitisë, ky është konkursi i katërt për specializim që hapet brenda më pak se katër vitesh, ndërsa përparësi u është dhënë fushave deficitare dhe nevojave të institucioneve shëndetësore rajonale.

Ai ka bërë të ditur se për herë të parë Ministria e Shëndetësisë do të financojë edhe 20 vende për specializim në Mjekësi Familjare.

Risi e këtij konkursi është poentimi përmes sistemit digjital. Kandidatët do t’i plotësojnë të dhënat në mënyrë elektronike, ndërsa sistemi do t’i përllogarisë pikët sipas kritereve të konkursit. Pas verifikimit nga Bordi, secili kandidat do të ketë qasje në pikët e veta.

Vitia ka paralajmëruar se së shpejti do të hapet edhe një konkurs tjetër për shkollim specialistik, këtë herë për nevojat e institucioneve shëndetësore private.

“Më shumë mundësi për mjekët tanë, më shumë transparencë në proces!”, ka deklaruar ministri Vitia, duke u uruar suksese të gjithë kandidatëve.

Të Ngjashme