Filmi i shkurtër “From 6 to 5”, me drejtor fotografie Ardian Dubova, është përzgjedhur në Garën Ndërkombëtare të edicionit të 72-të të Internationale Kurzfilmtage Oberhausen, një nga festivalet më të vjetra dhe më prestigjioze të filmit të shkurtër në botë.
Ky përzgjedhje shënon një arritje të rëndësishme për kinematografinë kosovare, duke e vendosur projektin në mesin e produksioneve më të spikatura ndërkombëtare të këtij viti.
Filmi është realizuar me regji nga Erlisë Beqiri, ndërsa drejtimi i fotografisë nga Ardian Dubova përbën një element të rëndësishëm artistik në ndërtimin vizual të veprës.
“From 6 to 5” trajton historinë e një sigurimi në një hotel, duke ndjekur rutinën dhe sfidat e përditshme të tij. Në rolet kryesore paraqiten aktorët Astrit Kabashi dhe Eshref Durmishi.
Një veçanti e filmit është realizimi i tij në formatin 16 mm, duke shënuar një rikthim të rrallë të përdorimit të shiritit analog në Kosovë. Projekti konsiderohet ndër filmat e parë narrativë të shkurtër të realizuar në këtë format pas shumë vitesh, duke i dhënë një dimension të veçantë estetik.
Premiera botërore e filmit në Oberhausen pritet të jetë një moment i rëndësishëm për prezantimin e kinematografisë kosovare në arenën ndërkombëtare.

