Kuriozitete

Arkeologët zbulojnë provat e para të betejës epike biblike të ‘Armagedonit’ në Megido

Bibla ka shumë histori magjepsëse që vazhdojnë të tërheqin njerëzit edhe pas shekujsh. Prej kohësh, arkeologët janë përpjekur të gjejnë dëshmi që i vërtetojnë këto tregime. Së fundmi, disa prova të zbuluara nga qyteti i lashtë i Megidos në Izrael tregojnë se një betejë e përmendur në librin e shenjtë mund të ketë qenë e vërtetë. Zbulimet janë publikuar në The Scandinavian Journal of the Old Testament.

Sot, vendgërmimi ndodhet në një park kombëtar rreth 30 kilometra në juglindje të Haifës. Gjatë historisë së tij, vendgërmimi ka qenë i banuar nga persët, egjiptianët, kanaanitët, asirianët dhe izraelitët. Që nga vitet 1920, janë zhvilluar disa gërmime arkeologjike dhe deri tani janë zbuluar rreth 20 shtresa historike.

Image

Gjetjet përfshijnë një numër të madh fragmentesh qeramike egjiptiane dhe greke. Këto objekte u zbuluan në një shtresë që daton në vitin 732 para Krishtit. Origjina e tyre u përcaktua duke analizuar baltën dhe modelet e artefakteve. Studiuesit pretendojnë se gjatë kësaj periudhe, trupat egjiptiane bashkëpunuan me mercenarë grekë në rajon për një përballje të përmendur në Bibël. Sipas Biblës Hebraike dhe Dhiatës së Vjetër të Krishterë, Mbreti Jozia i Mbretërisë së Judës pati një përplasje me Faraonin Necho II në Megido në vitin 609 para Krishtit. Fragmentet e zbuluara tregojnë se forcat egjiptiane ishin vërtet të pranishme në Megido gjatë mbretërimit të Jozias.

Megjithatë, analiza nuk tregon nëse Jozia ishte vetë i pranishëm në këtë betejë. Për më tepër, përballja përshkruhet ndryshe në dy vende të ndryshme të Biblës. “Ngjarja e Jozias dhe Necho-s në Megido në vitin 609 para Krishtit  përmendet në Bibël dy herë: një herë si një ekzekutim në një varg të shkurtër në Librin e Mbretërve dhe një herë si një betejë vendimtare në Librin e Kronikave,” tha Assaf Kleiman, arkeolog në Universitetin Ben-Gurion dhe bashkautor i studimit. Prandaj, mënyra se si u vra Jozia ka qenë një temë debati. Studiuesit janë më të prirur t’i besojnë rrëfimit në Librin e Mbretërve, pasi u shkrua më afër kohës së ngjarjes sesa Libri i Kronikave, i cili u përpilua shekuj më vonë.

Image

Ekspertët duan të kuptojnë nëse në të vërtetë ka ndodhur një betejë mes mbretit Jozia dhe Faraonit Necho II, apo nëse ky i fundit thjesht ekzekutoi një vasal të tij. Historiani Jacob Wright, profesor i Biblës Hebraike në Universitetin Emory, sugjeron se Jozia mund të ketë udhëtuar nga Jerusalemi në Megido për t’i paguar haraç faraonit, por për arsye të panjohura u ekzekutua.

Nëse saktësohet se mbretëria e Judës ishte nën sundimin egjiptian, kjo do të ishte një provë e rëndësishme, pasi Bibla nuk e përmend këtë fakt, ndonëse provat arkeologjike sugjerojnë se Egjipti e kishte pushtuar rajonin pas vitit 630 para Krishtit.

Image

Izrael Finkelstein, arkeolog në Universitetin e Haifës dhe Universitetin e Tel Avivit, thotë se Jozia ishte një mbret i devotshëm dhe i dashur nga populli i tij. Pas vdekjes së tij, mund të ketë lindur ideja e “Armagedonit”. Njerëzit filluan të besonin se në vendin ku Jozia dha frymën e fundit, do të ndodhte një betejë përfundimtare mes forcave të Zotit dhe së Keqes, një përballje e aftë për të shkatërruar botën. Armagedoni është një betejë e profetizuar në Librin e Zbulesës në Dhiatën e Re, e cila parashikohet të sjellë fundin e botës. / Fox News – Syri.net

 

 

 

 

Të Ngjashme