Eksperti i sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka reaguar pas arrestimit të një serbi nga Istogu në Serbi, me pretendimin e autoriteteve serbe se i njëjti ka “spiunuar” lidhur me një varrezë masive.
Kjo erdhi vetëm pak ditë pas fillimit të gërmimeve që po zhvillohen në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, ku dyshohet për ekzistimin e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë e ku janë gjetur mbetje mortore të njeriut e veshmbathje.
Përmes një postimi në Facebook, Kuçi tha se kjo tregon qasjen e Beogradit ndaj zbardhjes së krimeve të luftës.
“Pra, pikërisht në momentin kur nisin gërmimet për viktimat, Beogradi e trajton zbulimin e së vërtetës si akt spiunazhi”, ka shkruar Kuçi.
Ai vlerësoi se një qasje e tillë dëshmon, frikën e Serbisë nga zbulimi i së vërtetës për varrezat masive dhe nga drejtësia për personat e zhdukur.
