Bota

Arrestimi i Maduros, Trump: E paralajmërova, por duhej të më kishte dëgjuar. Venezuelën do e drejtojmë ne

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se forcat e SHBA-së kanë realizuar një operacion të gjerë ushtarak në Karakas, që sipas tij çoi në arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.

Në një deklaratë publike, Trump e cilësoi ndërhyrjen si “një operacion spektakolar”, duke theksuar se u përdorën kapacitete të fuqishme ushtarake nga ajri, toka dhe deti. Ai tha se një aksion i tillë nuk është parë prej dekadash dhe e krahasoi shkallën e tij me operacione historike të Luftës së Dytë Botërore.

Sipas presidentit amerikan, objektivi ishte një strukturë ushtarake e fortifikuar në qendër të kryeqytetit venezuelian, ku ndodheshin persona të cilësuar prej tij si “kriminelë”. Trump theksoi se urdhri për operacionin ishte dhënë prej tij dhe se ushtria amerikane veproi me shpejtësi dhe saktësi.

Duke folur nga rezidenca e tij Mar-a-Lago në Florida, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të marrin drejtimin e përkohshëm të Venezuelës deri në realizimin e një tranzicioni që ai e cilësoi si “të sigurt, të duhur dhe të mençur”.

“Ne nuk duam të lejojmë që vendi të bjerë sërish në të njëjtën situatë si vitet e fundit. Deri në momentin e tranzicionit të qëndrueshëm, SHBA do të garantojnë drejtimin”, u shpreh Trump, pa dhënë një afat konkret kohor për përfundimin e këtij procesi.

Më herët gjatë ditës, forcat amerikane kryen sulme ajrore në territorin venezuelian, ndërsa Trump njoftoi se njësitë speciale arrestuan Nicolas Maduron dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, duke i nxjerrë jashtë vendit.

Operacioni, sipas burimeve zyrtare amerikane, u mbështet edhe nga njësi elitare të ushtrisë së SHBA-së, përfshirë Delta Force, në atë që përshkruhet si një nga ndërhyrjet më të mëdha ushtarake amerikane në Amerikën Latine në vitet e fundit.

/tiranapost

Të Ngjashme