Endrit Braimllari
Pasi dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, ka folur lidhur me atë çfarë është duke ndodhur brenda kësaj force politike. Sa i përket “tradhtarëve” në parti të përmendur nga Ilir Meta gjatë Konventës, Braimllari tha se koha do e tregojë se cilët janë.
Ndër të tjera ai u ndal dhe te thashethemet që po qarkullojnë së fundmi lidhur me një arrestim të mundshëm të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Metës. Braimllari u shpreh se nuk beson se Metës do i kushtëzohet liria, pasi është një figurë politike që gjithmonë ka respektuar ligjin.
“Nuk besoj se zoti Meta do ketë një kushtëzim nga drejtësia për shkak se është një profil i lartë politik. Nuk ka gjë që kufizon zotin Meta. Po bëmë një ligj antiMeta kjo…unë besoj në pastërtinë e tij. Këtë gjë e kam parë kur kam qenë bashkëpunëtor i tij. Ilir Meta është udhëhequr nga fryma e zbatimit të ligjit dhe këtë këshillë i ka dhënë gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Përballë këtij regjimi duhet një bllok i fortë opozitar”, tha Braimllari për “Vizion Plus”.