Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të hënën se Serbia nuk është tërhequr nga përpjekjet destabilizuese, porse prania e institucioneve të sigurisë po sjell rezultate.
Kështu tha kreu i ekzekutivit në mbledhjen e Qeverisë, teksa mirëpri arrestimin e Stefan Raduloviqit, i dyshuar për sulmin terrorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën dy të tjerë.
Kurti: Mirëpresim arrestimin e Stefan Raduloviq, i lidhur me sulmin terrorist në Banjskë
“Me vendosmëri, angazhim e sakrificë, në qeverisjen tonë edhe në këto ditë të mandatit të tretë kemi shpartalluar bandat kriminale paraushtarake që shërbenin si struktura paralele ilegale në veri. Kemi shtrirë sovranitetin, kemi vendosur rend e ligj, përkundër mosbesimit. Fqinji ynë verior nuk është tërhequr nga përpjekjet destablizuese, por prania vigjilente e shtetit po sjell rezultate.
Përshëndesim aksionet e institucioneve tona të sigurisë që gjetën e konfiskuan armatim në lokacione të ndryshme. Mirëpresim arrestimin e Stefan Raduloviq, i lidhur me sulmin terrorist në Banjskë. Drejtësia bëhet e plotë vetëm kur Milan Radoiçiq vihet para drejtësisë në Kosovë. Se luftimi i krimit të organizuar është pakompromis dëshmojnë edhe aksionet e suksesshme anti-drogë në Pejë, e ato anti-bixhoz në disa qytete të vendit tonë”, tha ai./kp
