Lajme

Arrestimi i veteranit të UÇK-së/ Analisti alarmon: Serbia arreston pa prova, ndërkombëtarët duhet të veprojnë!

Shtetas i Kosovës, Mit’hat Lozhani, ish-ushtar i UÇK-së është arrestuar gjatë kalimit transit në Serbi.

Kështu ka njoftuar avokati i tij Arianit Koci i cili tha përmes rrjeteve sociale se ai u arrestua rreth orës 11:00.

Gjatë kalimit transit nëpër Serbi, u ndalua dhe u arrestua nga policia serbe shtetasi i Kosovës, Mit’hat Lozhani. Ky nuk është rast i izoluar. Arrestimet e shtetasve të Kosovës gjatë transitit nëpër Serbi po përsëriten dhe kjo po krijon pasiguri reale për këdo që udhëton përmes atij territori. Këto arrestime duhet të ndalen”, shkroi Koci.

Koci tutje tha se Shteti i Kosovës ka obligim ta trajtojë këtë si çështje serioze të sigurisë së qytetarëve, duke kërkuar edhe ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Ai thotë se Serbia ka listat e veteranëve të UÇK-së, gjë që i bën ata të rrezikuar për arrestim, dhe shpreh habi që disa ende kalojnë nëpër Serbi duke rrezikuar veten.

Serbia i mban listat e veteranëve të UÇK-së, në momentin që Serbia i posedon këto lista, automatikisht të gjithë ata persona janë të rrezikuar për t’u arrestuar.

Prandaj, më habit fakti se si disa njerëz vazhdojnë të kalojnë përmes Serbisë, edhe pse e dinë që janë pjesë e strukturave të veteranëve të UÇK-së. Sepse çdo kalim i tyre rrezikon për arrestim dhe rrezik nga Serbia”, u shpreh ai.

Tutje, analisti thekson që problemi i përndjekjes së veteranëve nga Serbia është i njohur prej kohësh dhe duhet të trajtohet seriozisht nga qeveria e re e Kosovës, përfshirë edhe në Bruksel.

Sipas tij, aktualisht Serbia arreston veteranët e UÇK-së pa prova konkrete, çka është e papranueshme.

Kjo çështje është e njohur prej kohësh dhe besoj se, sapo të formohet qeveria e re e institucioneve të Kosovës, duhet të ngrihet seriozisht edhe në Bruksel, në mënyrë që Serbia njëherë e përgjithmonë t’i japë fund përndjekjes së qytetarëve.

Aktualisht, mjafton që dikush të ketë qenë veteran i UÇK-së, edhe pa qenë i përfshirë në asnjë krim, që Serbia ta arrestojë pa asnjë fakt konkret. Kjo është e papranueshme”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

Të Ngjashme