Lajme

Arrestimi i veteranit të UÇK-së nga Serbia: Juristët paralajmërojnë pasoja ligjore dhe politike!

Një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtetas i Kosovës, është arrestuar nga autoritetet në Serbi paraditen e 5 shkurtit, thanë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) dhe avokati Arianti Koci.

Autoritetet serbe konfirmuan se Mit’hat Lozhani u arrestua nën dyshimet për krime kundër popullatës civile.

Ndërsa autoritetet në Serbi mbrëmjen e 5 shkurtit konfirmuan arrestimin e veteranit të UÇK-së dhe thanë se është dërguar në ndalim prej 48 orësh.

Sipas Serbisë, ai dyshohet se ka kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit më 1998 dhe 1999 “pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të MPB-së serbe dhe ushtrisë jugosllave”. Në njoftim thuhet po ashtu se “si anëtar i grupit të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve”.

Por, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thanë se i arrestuari ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.

Reagime për këtë ngjarje ka pasur edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës e cila ka kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare, pasi Serbia arrestoi një veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një ditë më parë, nën pretendimet për krime kundër popullatës civile.

Kujtojmë që ndalime të tilla të shqiptarëve nga Serbia ka pasur edhe më herët.

Mirëpo të gjendur në këtë situatë se çfarë pasojash juridike mund të ketë ndalimi i një ish-ushtari të UÇK-së në Serbi, duke pasur parasysh praktikat e mëhershme të autoriteteve serbe, për “Bota sot”, kanë folur juristët.

Jashari: Arrestimi i Llozhanit është politikë dhe propagandistikë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Arbër Jashari.

Ai thotë se arrestimi i Llozhanit nuk ka të bëjë fare me drejtësinë, mirëpo me arrestime politike dhe propagandistike.

“Arrestimi i Llozhanit, sikur edhe arrestimet e disa ish pjesëtarëve të UÇK-së më herët, nga shteti i Serbisë, janë arrestime politike dhe propagandistike, e qe nuk kanë të bëjnë fare me drejtësinë”, u shpreh ai.

Image
Arbër Jashari

Tutje, juristi thekson që arrestimet po shkelin lirinë e individëve dhe po shkaktojnë pasoja serioze emocionale e familjare, duke dëmtuar edhe procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. 

Ai shton se bashkësia ndërkombëtare duhet të ushtrojë presion mbi Serbinë për t’i ndalur këto veprime, pasi ato bien ndesh me parimet dhe vlerat ndërkombëtare.

“Natyrisht që kjo shkakton pasoja të mëdha për personat e arrestuar, te cilëve po u mohohet liria, shkakton dhimbje dhe stres për familjaret e tyre, si dhe minon përpjekjet ndërshtetërore në mes Kosovës dhe Serbisë për fqinjësi te mire dhe normalitet. 

Serbisë duhet t’i bëhet presion nga faktori ndërkombëtarë qe t’i ndale këto veprime të dëmshme dhe destruktive menjëherë, të cilat nuk përkojnë me asnjë parim ose vlere ndërkombëtare”, foli Jashari për “Bota sot”.

Bajraktari: Të ndaluarit rrezikojnë ndjekje dhe dënime nga autoritetet serbe

Ndërsa, juristi tjetër, Ardian Bajraktari në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që  të ndaluarit rrezikojnë ndjekje dhe dënime nga autoritetet serbe, veçanërisht përderisa Serbia udhëhiqet nga një regjim me trashëgimi propagandistike dhe gjenoidale.

“Ndalimi dhe arrestimi i tyre natyrisht se nënkupton se të njëjtit mund të përballen me procedura ligjore nga ana e autoriteteve serbe, madje edhe me dënime. 

E për aq kohë sa në krye të këtij shteti është një person i cili me propagandë dhe jo vetëm i ka shërbyer një regjimi gjenoical, gjëra dhe veprime të tilla janë të pritshme”, shprehet ai.

Image
Ardian Bajraktari

Në fund, Bajraktari nënvizon që qytetarët, sidomos ish-pjesëtarëve të UÇK-së, u rekomandohet të shmangin këtë territor dhe të përdorin rrugë alternative për sigurinë e tyre.

“Prandaj, për të shmangur këto, qytetarët në përgjithësi e veçmas ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është mirë që t’i shmangen këtij territori dhe t’i shfrytëzojnë rrugët alternative”, përfundoi Bajraktari për “Bota sot”.

Të Ngjashme